Prokurorja speciale Fatime Fetai është shprehur e bindur për ndriçimin e rastit Monstra. Ajo në një emision të 1tv, tha se këtë rast e ndjenë ngarkesë në vetvete dhe se pa e ndriçuar atë, nuk mendon për ndonjë drejtim tjetër.
“Pa u përfunduar rasti Monstra të cilin personalisht e ndjej sikur ngarkesë dhe njëkohësisht kamë dëshirë dhe e kam pasur që kur kam hyrë në PPS për ta zgjidhur, jo vetëm nuk do të lëviz, por as nuk mendoj në drejtim tjetër”, deklaroi Fatime Fetai, Prokurore speciale.
Fetai foli edhe për bisedimet pushtet-opozitë, për arritjen e një marrëveshjeje për ligjin për Prokurorinë Publike. Ajo u shpreh e pakënaqur me njerëzit të cilët po i udhëheqin këto bisedime, pasi siç tha, disa prej tyre janë të dyshuar për vepra penale.
“Unë nuk mund të di sa herë do të ulen, të merren vesh, të negociojnë dhe si do të merren vesh në fund, pro vetëm një gjë mund të apeloj. Nëse partitë politike mendojnë të sjellin ligj, në të cilin do të vendosin dispozita me të cilat do të pamundësohet që secili që ka shkelur ligjin, të përballet me drejtësinë, më mirë është që hiq mos ta sjellin atë ligj. Nuk na duhet neve ligji që vetëm të themi se i përmbushëm kushtet që të shkojmë përpara dhe ta hutojmë opinionin, ndërsa ligji të jetë përplot me pengesa në punën tonë të mëtutjeshme. Ajo do të nënkuptonte, se politikanët tanë, edhe pushteti edhe qeveria, duan që ta amnistojnë krimin”, theksoi Prokurorja speciale, Fatime Fetai.
Mandati për mbylljen e rasteve të PPS-së përfundon në shtator, dhe nëse ky mandat nuk vazhdohet, Fetai tha se do të shkaktohej në kaos me lëndët e hapura. Megjithatë ajo shtoi se në vendin tonë është traditë që marrëveshjet të arrihen në moment të fundit, andaj tha se edhe marrëveshja për ligjin për Prokurori publike do të arrihet, siç tha, në ora 12 pa 5./TV21