Projekti i ujësjellësit në fshatin Kolibar, është një ëndërr 40 vjeçare që sot bëhet realitet. Me një investim prej 150 mijë eurosh, sot jetësohet një projekt kapital për banorët e fshatit Kolibar, ku janë realizuar edhe disa projekte të tjera infrastrukturore, tha kryetari i komunës së Kërçovës Fatmir Dehari.
Dehari sot inspektoi edhe punët për ndërtimin e shkollës së re në fshatin Cërvicë që kap shumën prej 33 milion e 700 mijë denarëve. Punët zhvillohen sipas dinamikës së paraparë dhe ky objekt pritet të jetë gati në fillim të vitit të ri shkollor.
Sipas Deharit, në realizim e sipër janë edhe projekte të tjera të infrastrukturës shkollore. Do të lëshohen në përdorim sallat sportive në Greshnicë dhe Garanë, është bërë rekonstruimi i shkollave në Sërbicë, Kollarë dhe tri shkollave të qytetit të Kërçovës.