Komisioni Rregullator për Energjetikë të kryejë ndryshime të Rregullave për furnizim me energji elektrike dhe të vendosë lexim të detyrueshëm mujor të njehsorëve, kërkojnë Inxhinierët e Republikës së Maqedonisë (INRM).
Siç bëri të ditur sot INRM, me vendosjen e bllok-tarifave më 1 korrik 2022 KRRE kreu ndryshim të Rregullave për furnizim me energji elektrike, duke paraparë lexim tremujor në vend të leximit vjetor të njehsorëve. Ky ndryshim, bëjnë të ditur, ishte rezultat i ankesave të shumta nga konsumatorët për lexim paushall e cila nuk korrespondon me konsumin real.
“KRRE ka obligim të mbrojë të drejtën e konsumatorëve për pagesë të drejtë sipas konsumit aktual të energjisë elektrike. Leximi duhet të bëhet çdo muaj, siç parashikohet për të gjitha kategoritë e tjera të lidhjeve në sistemin tarifor të shpërndarjes. Shitja e rrjetit të shpërndarjes së EVN-së është motivuar nga nevoja për modernizim dhe investime, duke përfshirë futjen e njehsorëve digjitalë me lexim automatik dhe në distancë.
Kjo duhej të siguronte faturim mujor bazuar në konsumin aktual, për të reduktuar gabimet dhe për të përmirësuar faturimin. Prandaj, KRRE duhet të ndryshojë Rregullat e Furnizimit me Energji Elektrike dhe të vendosë lexime të detyrueshme mujore të njehsorëve!”, thuhet në kumtesë.