Territori i Maqedonisë së Veriut është përfshirë nga vala e ngrohtë me temperatura të fazës së verdhë (alerte), sot do të jetë shumë nxehtë, me temperatura maksimale të cilat në pjesët juglindore do të arrijnë 40 gradë, ndërsa indeksi UV do të arrijë 9.
Siç kumton DPHM, gjithë territori i vendit do të jetë në fazën e verdhë për temperaturat e larta.
Në Shkup temperatura e mëngjesit do të jetë 19, ndërsa ajo maksimale e ditës 37 gradë. Më nxehtë do të jetë në Demir Kapi 40 gradë Celsius, ndërsa më freskët në Mavrovë 28 gradë Celsius.
Deri të premten në orët e pasdites vende-vende do të ketë shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima, ndërsa lokalisht do të ketë kushte për paraqitje të motit të keq. Pastaj sërish vijon periudha e motit të ngrohtë dhe me diell.
Për shkak të motit tropikal. kompetentët apelojnë qytetarët t’i respektojnë rekomandimet e përgjithshme për mbrojtje nga temperaturat e larta, përkatësisht të mbrohen nga ekspozimi direkt në diell, të shmangin qëndrimet në vende të hapura në periudhën nga ora 11 deri në orën 17:00, të mbajnë veshëmbathje të ndritshme dhe të lehtë, ndërsa gjatë ekspozimit direkt në diell të mbajnë kapelë dhe syza mbrojtëse, (ngjyrat e ndritshme e reflektojnë dritën), të konsumojnë ushqim të lehtë dhe pije, veçanërisht të kenë kujdes gjatë përgatitjes dhe konsumimit të ushqimit, të shmangin produkte të papërpunuara termike, për shembull majonezë nga vezët, me kujdes të konsumojnë akullore dhe kremëra të ndryshëm, të konsumojnë sasi më të madhe të pijeve, më së miri ujë i zakonshëm për pije, t’i shmangin pijet alkoolike, ndërsa gjatë hyrjes në automjet duhet një periudhë të caktuar ta ajrosin.
Gjatë ditëve të tilla ekstreme, qytetarët duhet të qëndrojnë në hapësira të mbyllura (para se gjithash me ajër të kondicionuar), gjatë qëndrimit të domosdoshëm në hapësirë të hapur në këtë periudhë, të gjejnë mundësi për pushime të shpeshta nën hije, ndërsa personat e sëmurë kronik rregullisht ta marrin terapinë e shënuar.