FC Saraj radhit sukseset brenda dhe jashtë vendit

Pesë fitore, po aq humbje dhe një barazim, ky është epilogu nga gjithsejtë 11 ndeshje që FC Saraj i zhvilloi në Berlin të Gjermanisë me U12, në turneun “Fakon Champions Cup Wanderpokal 2019”. FC Saraj në këtë turne arriti të arkëtoj plotë 16 pikë dhe të renditet në vendin e shtatë.

Marketing

Djelmoshat e Sarajit në këtë turne treguan mjaftë lojë cilësore, dhuruan shumë emocione dhe bënë për vete shumë bashkatdhetarë, të cilët për disa çaste harruan të afërmit e tyre që ishin pjesë e ekipeve gjermane dhe bënin tifo për klubin e Sarajit. Ndërsa futbollisti Admir Zeadini duke u zgjedhur lojtari më i mirë i turneut, vetëm se vulosi suksesin e FC Saraj.

“Këta djelmosha nuk na zhgënjyen ne e as bashkatdhetarët tanë, por na bënë që të ndjehemi krenarë, sepse arritën që tu bëjnë ballë ekipeve siç janë: Füchse Berlin, Hertha BSC, FC Wilmersdorf, Tennis Borussia Berlin, Berliner SC, SC Borsigwalde dhe shumë të tjera”, tha Sherif Sherifi, trajner i FC Saraj.

Ndërsa organizator i turneut, bashkatdhetari dhe biznesmeni i njohur Ejup Dibrani, i cili u kujdes në mënyrën më të mirë të mundshme për futbollistët e FC Saraj, u nda i kënaqur nga loja dhe rezultati që treguan në fushë djelmoshat nga Saraji. Dibrani, duke na uruar për lojën dhe vullnetin e madh të fëmijëve, u shpreh se ndjehet krenarë që një klub nga vendlindja e tij arriti të përballet me sukses me ekipe që kanë emër dhe renome.

“Ndjehem krenar që një ekip që vjen nga vendlindja ime, arriti me sukses të përballet me ekipe të njohura të futbollit që ishin pjesë e këtij turneu. Uroj që këto djelmosha të vazhdojnë tutje, jam i sigurt se nga këtu do të dalin emra të njohur të futbollit”, u shpreh Ejup Dibrani, biznesmen nga Shkupi, që jeton dhe vepron në Berlin të Gjermanisë.

Marketing