FC Shkupi e nis me fitore kampionatin e ri (VIDEO)

Kampionët e FC Shkupit vetëm gjatë ditës së sotme kanë zhvilluar ndeshjen e tyre të parë në kuadër të sezonit të ri, duke e nisur atë me këmbë të mbarë, pasi në fund mundën Makedonija GJ.P. me rezultatin 2:1.

Marketing

Për shkak pjesëmarrjes në Kupat europiane, skuadra nga Çairi kishte anuluar ndeshjen e xhiros së parë ndaj Tikveshit në Kavadar, ndërsa vetëm sot para tifozëve të vetë në stadiumin e Çairit, mirëpriti ekipin e Makedonija GJ.P., njofton “infOSport.mk”.

Edhe skuadra e Muharem Bajramit në xhiron e parë ishte e lirë, kjo për shkak largimit të Renovës në moment të fundit nga Liga e Parë, ashtu që të dyja skuadrat dhanë më të mirën në fushën e blertë.

Njëherit kjo ishte si një lloj finale e SuperKupës, duke pasur parasysh se përballë njëri tjetrit luanin skuadra kampione në fuqi, në këtë rast FC Shkupi, si dhe fituesi aktual i Kupës, Makedonija GJ.P.

Pjesa e parë e këtij takimi nuk prodhoi gola, ndërsa të njëjtit erdhën vetëm në pjesën e dytë. Vendasit patën një start shumë të mirë në këtë pjesë, duke rrezikuar seriozisht portën e mysafirëve, e ku si rezultat në minutën e 67-të erdhi goli i parë i shënuar nga ana e rezervistit, Kristijan Trapanovski.

 

Nuk vonoi shumë dhe vetëm 3 minuta më pas, falë harkimit të saktë të Brdarovskit nga e djathta, Renato Cepas me kokë shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e Stevkovskit, duke bërë që FC Shkupi në ato momente të ketë një epërsi komode.

 

Megjithatë 3 minuta para fundit të takimit, Emir Skenderi vuri në siklet vendasit, duke shënuar golin e parë për Makedonija GJ.P dhe duke sjellë paqartësi në minutat e fundit të takimit, bashkë me ato 5 minuta shtesë, por pa mundur që të shënojnë edhe golin e dytë, atë të barazimit.

Në fund fitore më se e merituar për FC Shkupin, që krijoi më shumë raste se Makedonija GJ.P, që fitoren e parë në sezonin e ri do të duhet ta kërkojë në ndeshjen e xhiros së tretë kundër Pobedës. Në anën tjetër FC Shkupi do të jetë i lirë, kur janë në pyetje ndeshjet kampionale, por jo edhe sa u përket atyre europiane, pasi me datë 18 gusht në Shkup do të zhvillojë ndeshjen e parë të “play-off” në kuadër të Ligës së Konferencës kundër skuadrës kampione të Kosovës, Ballkanit. (infOSport.mk)