Përballja e zhvilluar në stadiumin “Todor Proeski” solli një spektakël të vërtetë të futbollit me tifozëri të zjarrtë në të dy anët e stadiumit, që dhanë një motiv shtesë për futbollistët e FC Shkupit dhe KF Llapi. Mirëpo në pjesën kryesore, asaj futbollistike, fitorja I takoi skuadrës nënkampione të Maqedonisë me rezultat 2-0.
Pjesa e parë kaloi në matje të forcave në minutat e para, ndërsa vendasit krijuan më shumë raste që të shënojnë, por që në momentin vendimtar nuk u treguan saktë. Mysafirët në dy raste rrezikun portën shkupjane, por falë intervenimeve të saktë të portierit vendas, rezultati nuk u ndryshua. Momenti vendimtar i pjesës së parë ndodhi në minutën e 36, kur Markoski shfrytëzoi një hapësirë në mbrojtjen kosovare dhe kaloi edhe portierin mysafirë që në fund të tund rrjetën e KF Llapi.
Edhe pjesa e dytë i takoi vendasve, të cilët filluan në mnëyrë të furishme që të shënojnë golin e dytë në këtë përballje dhe në dy raste mungoi vetëm prekja e fundit pasi që ishte e dorëzuar mbrojtja dhe portieri kosovar. Në anën tjetër KF Llapi, në disa momente tregoi se ka forcë që të sulmojë, por jo edhe të shënojë në portën e FC Shkupit.
Dhe në kohën shtesë erdhi goli i dytë në rrjetën e skuadrës së Llapit, kur Rabutaje shënoi me kokë pas gjuajtjes së lirë.
Marë në përgjithësi, rezultati real për të dy skuadrat që treguan luftë të madhe në terrenin e gjelbër të stadumit “Todor Proeski” në Shkup.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas 7 ditëve në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.