E gjithë bota i kishte sytë në Spanjë, duke shpresuar se 2-vjeçari Julen, i cili kishte rënë në një pus mbi 100 metra të thellë, mund të shpëtonte.
Pas 13 ditësh gërmime, 3 vjeçari u gjet i vdekur. Shumë njerëz kishin shpresë se ai mund të dilte i gjallë prej aty, por Julen nuk ia doli mbanë. Në orën 1:25 me orën lokale, punonjësit e kërkim-shpëtimit e arritën vogëlushin në pusin ku ra më 13 janar në Totalan, një lokalitet pranë Malagas, por ai ishte pa jetë.
“Për fat të keq, përkundër shumë përpjekjeve nga ana e shumë njerëzve, nuk ishte e mundur… RIP Julen”, shkroi të “Twitter”, Roja Civile, duke iu drejtuar familjarëve të vogëlushit me ngushëllimet më të sinqerta.
Trupi i pajetë i Julen është gjetur më shumë se 100 metra nën tokë. Një agjent i Rojes Civile-raporton El Pais- ka qenë i fundit që iu është bashkuar punonjësve të kërkim-shpëtimit pasi njerëzit e Brigadës së Shpëtimit të Minierave hapën një tunel hyrjeje nga një pus ndihmës.
Hapja e fundit ishte veçanërisht e vështirë, për shkak të pranisë së shkëmbinjve të mëdhenj, të cilat përfundimisht u shpërndanë me shpërthime të vogla me eksploziv.
Mbetet i hapur hetimi i Guardia Civil për të zbuluar se si djali dyvjeçar ka rënë në pus. Prindërit e tij, Josè Rosellò dhe Victoria García, janë të njohur nga fqinjët e tyre në lagjen “El Palo” ku jetojnë, në Malaga, në rrëzë të malit ku ndodhet Totalan. Në vitin 2017 ata kishin humbur një tjetër djalë trevjeçar.