Fëmijët dhe femrat rome janë kategoria më e rrezikuar nga trafikimi me njerëz. Ky ishte një nga përfundimet në analizën e realizuar në kuadër të projektit të Shoqatës rome për gra dhe të rinj “Luludi”, i financuar nga BE-ja. Koordinatorja e këtij projekti Ines Xhemail tha se informacionet e Komisionit Nacional kundër tregtisë me njerëz flasin për 24 viktima të tregtisë me njerëz vetëm gjatë 3 viteve të fundit.
Në periudhën 2017- 2020 janë identifikuar gjithsej 24 viktima, 12 kanë qenë viktima të shfrytëzimit seksual, 6 viktima të martesës së organizuar. Në atë periudhë shumë shoqata u angazhuan për identifikime e viktimave potenciale dhe gjithsej u identifikuan 346 persona nga kategori të rrezikuara, të cilët hyjnë në grupin e personave më të rrezikuar nga tregtia me njerëz. Këtu fëmijët shfaqen si kategoria më e rrezikuar, përkatësisht përbëjnë 61% të shifrës së mësipërme”, tha Ines Xhemail- Shoqata rome për gra dhe të rinj “Luludi”.
403 nxënës të shkollave të mesme të cilët janë përgjigjur në anketën e realizuar në kuadër të këtij projekti, konsiderojnë se rrjetet sociale e shtojnë rrezikun që u kanoset atyre për të qene pre e tregtisë së fëmijëve dhe femrave. ¾ prej janë përgjigjur se kanë njohuri se çfarë do të thotë termi I përgjithshëm tregti me njerëz, mirëpo kryesisht këtë e lidhin me prostitucionin. Si më të rrezikuar kanë vlerësuar se janë fëmijët pa prindër, femrat dhe fëmijët që jetojnë në varfëri dhe të papunë. Zbatuesit e projektit thanë se institucionet dhe shoqëria duhet të angazhohen më shumë për të parandaluar tregtinë me njerëz dhe për të informuar më shumë fëmijët dhe femrat për rrezikun që u kanoset nga ky krim. Projekti është zbatuar në 5 komuna, ndërsa janë përfshirë 10 shkolla të mesme. Fushata sensibilizuese është zbatuar nga shtatori I vitit 2020 deri në maj të viti 2021.
https://alsat.mk/femijet-dhe-femrat-kategorite-me-te-rrezikuar-nga-trafikimi-me-njerez-ne-maqedoni/