Fëmijët me nevoja të posaçme, UNICEF: Vetëm 10% të përfshirë në arsim

Por, Shkolla “Vëllazërimi” në Shkup nuk ka kuadër mësimor që do t’i mundësonte këtij 9-vjeçari të mësojë si shokët e tij. Shkolla nuk ka defektolog, njëjtë si shumë shkolla të tjera në vend, që nuk ofrojnë kushte për fëmijët me nevoja të veçanta. Kjo e detyron Bujarin që çdo muaj të paguajë 1000 euro, për të siguruar ekspertët që kujdesen për djalin e tij, përfshirë edhe defektologun që ligjërisht duhet të sigurohet nga shteti.

Marketing

“Djali ka 9 vjet, është joverbal, është në moshë shkollore, në shkollë shkon me përcjellje nga defektologu që e paguajmë ne. Shkon në OJQ ku ka defektolog, logoped, psikolog, që i paguajmë ne. Inkluzioni është obligim sipas ligjit, por shteti nuk e respekton këtë fakt. Janë rreth 1000 euro në muaj që duhet të paguajë për trajtimin e fëmijës tim”,- tha prindi, Bujar Hoxha.

Mungesa e defektologëve nuk është problem vetëm e Shkollës “Vëllazërimi”. Në 9 shkolla në Çair ka vetëm 3 defektologë, që përpiqen të mbulojnë të gjitha shkollat, duke i vizituar në ditë të caktuara.

Mësuesit e kanë të vështirë të përfshijnë këta fëmijë në procesin ditor të mësimit pa ndihmën e një specialisti.

“Defektologu duhet të jetë në klasë, veçanërisht të punojë me ata fëmijë që kanë nevojë për ndihmë dhe besoj se do ia lehtësonte edhe arsimtarit edhe nxënësit që ka problem”,- tha mësuesja, Gane Dika.

Nga MASh thonë se përparësi absolute po u jepet angazhimit në shkolla të defektologëve, sociologëve dhe psikologëve.

“A janë të mjaftueshëm, sigurisht se nuk janë të mjaftueshëm dhe do angazhohemi t’i ekipojmë shkollat me kuadrin e nevojshëm për këtë kategori nxënësish”,- tha ministri i arsimit, Arbër Ademi.

Me gjithë gatishmërinë, autoritetet nuk e dinë saktë se sa është numri i nxënësve me nevoja të posaçme në procesin e rregullt arsimor. Një analizë e UNICEF-it tregon shifra shqetësuese. Vetëm 10% e këtyre fëmijëve janë të përfshirë në arsim.

“Kemi bë disa analiza këtu në Maqedoni, sipas të cilave vetëm 10% nga fëmijët me aftësi të kufizuara ose me pengesa në zhvillim janë të kyçur në procesin arsimor, që është shumë pak. Janë kapacitetet e shkollave, janë kapacitetet e arsimtarëve, mësimdhënësve, mirëpo shumë me rëndësi janë edhe paragjykimet se si i shohim ne ata fëmijë”,- tha Nora Shabani nga UNICEF.

Por, edhe pse vlerësohet se kjo mospërfshirje ndodh për shkak të paragjykimeve, fëmijët që anketuam tregojnë se nuk janë aspak paragjykues.

“Ne ju ndihmojmë në raste kur duan të shkojnë në WC, kur iu dhemb barku, koka…”,- theksoi një nxënës.

“Ata janë si ne, ne duhet t’iu ndihmojmë dhe iu ndihmojmë”,- u shpreh një nxënës.

Çdo fëmijë me nevoja të veçanta ka të drejtë në arsimim inkluziv dhe mundësi të barabarta për arsimim. Kështu thotë ligji, kështu duhet të jetë. Por, për të qenë realisht kështu, duhet ndryshuar vetëdija kolektive dhe ajo po fillon të ndryshojë. Nga UNICEF thonë se është rritur përqindja e prindërve që tashmë e pranojnë si normale përfshirjen e fëmijëve me nevoja të posaçme në procesin arsimor. Nga 4%, tani qëndrim pozitiv për inkluzivitetin kanë 24% e prindërve të anketuar dhe ky është një fillim i mbarë.

Marketing