Edhe këtë vit festa e Pashkës Ortodokse do të kremtohet me rregulla që imponohen nga pandemia.
Shërbesën kishtare e komentoi në Euronews Albania, drejtori i Katekizmit në Kishën Ortodokse, Miron Çako, i cili tha se ajo nuk do te kryhet si zakonisht në mesnatë, por do të spostohet në mëngjes.
“Pashka është një gëzim i madh. Pashka na mbush me frymëzim dhe besimtarët brenda tyre e kanë gëzimin dhe do ta përjetojnë sipas mundësive, por fatmirësisht ne do të kryejmë shërbesën, jo më siç e kryenin zakonisht në mesnatë, por për shkak të kushteve herët në mëngjes, por Pashka do të bëhet”, tha ai.
Ai theksoi se atmosfera e kësaj feste nuk ka qenë si herët e shkuara pasi pandemia ka lënë pasojat e veta.
“Atmosfera e Pashkës nuk e ka atë atmosferë që ka qenë në vitet e tjera për shkak të pandemisë. Besimtarët duke respektuar rregullat, distancimin, nuk kanë marrë pjesë shumë në këto shërbesa fetare”, shtoi ai.