Festimi për “Vardarin”: Reagime për gjuhën e urrejtjes dhe mbi 10 milionë denarë për pritje të ekipit

Për gjuhën urrejtjes kanë reaguar Komiteti i Helsinkit, Aleanca për Shqiptarët dhe Qendra për Liri “CIVIL”.

Marketing

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) do të ndërmarrë të gjitha aktivitetet për gjuhën e urrejtjes që u përdor dje gjatë kremtimit të marrjes së titullit nga Klubi i Hendbollit “Vardari” në qendër të Shkupit. Nga ana tjetër Qyteti i Shkupit ka ndarë 40 mijë euro shtesë vetëm për udhëtim çarter të lojtarëve, për shkak se udhëtimi tjetër ka qenë në orët e vona, e për ditë tjetër nuk ka mundur të shtyhet kremtimi, transmeton Portalb.mk.

“Deri në mëngjes nuk është denoncuar asnjë rast. Ne sigurisht se jemi informuar nëpërmjet mediave, por do të ndërmarrin të gjitha aktivitetet për rastin e djeshëm. Ne edhe me kumtesë kemi apeluar se do të sanksionohet çdo përdorim i gjuhës së urrejtjes apo edhe dhunës”, tha për Portalb.mk. zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski, megjithëse nuk deshi të specifikojë se nëse deri tash është ndërmarrë ndonjë aktivitet për rastin e djeshëm ku u përdorën sloganet “Vdekje për shqiptarët” dhe “Maqedoni e pastër”.

Në kumtesën e dërguar në media, nga MPB-ja ka njoftuar se Sektori për krime kompjuterike dhe forenzikë digjitale, në koordinim me prokurorinë përgjegjëse në vazhdimësi ka ndërmarrë aktivitete dhe masa për sanksionim të gjuhës së urrejtjes edhe në rrjete sociale, më së shpeshti në Fejsbuk, por nuk ka specifikuar se a hynë aty edhe rasti i djeshëm.

Qyteti i Shkupit, me fillim prej ora 18:30 do të realizojë pritje solemne të ekipit, për të cilin manifestim ka ndarë 2 milionë denarë. Vetëm për udhëtim çarter ka ndarë rreth 40 mijë euro, e kurse për shpërblim 6 milionë denarë. Në total, Qyteti i Shkupit do të harxhojë 10.440.000 denarë për ekipin.

“E kemi financuar çarterin sepse janë kampionë. Vendimi për pagesë është propozuar në Këshill, dhe i njëjti duhet ta miratojë. Pagesa bëhet sepse udhëtimi i ekipit ishte shumë vonë, dhe anulohej për sot ceremonia e festimit”, tha zëdhënësi i Qytetit të Shkupit, Valon Saliu.

Për pritje të ekipit të “Vardarit” është realizuar edhe transport publik falas në Shkup.

Nga MPB-ja njoftuan se janë ndërmarrë të gjitha masat për sigurim të rendit dhe qetësisë publike gjatë pritjes së kampionëve evropian, dhe do të jetë i sanksionuar çdo përpjekje për të nxitur incident, siç ka ndodhur në kremtimin e djeshëm. Nga atje kanë apeluar, që qytetarët që vërejnë çfarëdolloj shkelje të ligjit, ta denoncojnë te policët, stacionet e policisë apo edhe në numrin 192, të mos përdorim parulla ofenduese, këndim të këngëve me të cilat shpërndahen gjuhë e urrejtjes, të mos përdorin lëndë piroteknike, pasi që do të sanksionohen.

LEXO: Festimi për “Vardarin”: Njerëz të lënduar, vetura të dëmtuara dhe gjuhë e urrejtjes kundrejt shqiptarëve

Përndryshe, pasi Klubi e Hendbollit “Vardari” mori titullin e kampionit evropian, në qendër të Shkupit u realizua festë, në të cilën mbetën të lënduar dy persona, dy vetura u dëmtuan, dhe u përdor gjuhë e urrejtjes: “Vdekje për shqiptarët” dhe “Maqedoni e pastër”. Kanë reaguar Komiteti i Helsinkit, Aleanca për Shqiptarët dhe Qendra për Liri “CIVIL“.

Komiteti i Helsinkit: Apelojmë që MPB-ja dhe Prokuroria ta hetojnë rastin

Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut
Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut
Nëpërmjet një kumtese të dërguar në media, Komiteti i Helsinkit ka njoftuar se në lidhje me gjuhën e urrejtjes deri te ata ka pasur disa denoncime, pjesa dërmuese e tyre kanë pasur të bëjnë me përkatësi etnike, ndërkaq ka apeluar deri te MPB-ja dhe Prokuroria që ta hetojnë rastin.

“Numri më i madh i denoncimeve kanë të bëjnë me gjuhë të urrejtjes në baza të përkatësisë etnike. Kështu për shembull, në sheshin e Shkupit është thënë “Le të kuptojnë shqiptarët e mallkuar”, “Maqedoni e pastër”, dhe gjuhë tjetër ofenduese dhe diskriminuese Komiteti apelon deri te Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Themelore Publike ta hetojnë rastin dhe të ndërmarrin të gjitha masat sipas dispozitave ligjore”, thuhet në reagimin e Komitetit të Helsinkit.

ASH-ja: Fjalori fyes i komitëve ndaj shqiptarëve, primitivë dhe i pakuptimtë: MPB-ja ta hetojë rastin

Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka shprehur keqardhje për rastin e djeshëm ndërkaq gjuhën e përdorur në qendër të Shkupit, e ka quajtur si gjuhë fyese ndaj shqiptarëve, me çka nga Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar ta hetojë rastin.

“Ky fenomen ndodh gjithmonë, si ne rast humbje dhe fitoreje, për vite me radhë. Madje shpesh herë ky grup i tifozëve kanë goditur dhe dhunuar shqiptar të pafajshëm dhe kanë shkartuar prona shqiptare dhe për çudi, asnjëherë askush nuk ka mbajt përgjegjësi. Kjo vazhdimisht ka ndodhur sepse asnjëherë anëtarët e tifo grupeve nuk janë ndëshkuar nga organet e rendit dhe gjyqësia, madje ata janë inkurajuar. Ftojmë Ministrinë e Punëve të Brendshme që të ndërmarr masa ndaj personave dhe tifo grupeve që nxisin urrejtje ndëretnike dhe promovojnë gjuhë të urrejtjes, madje duke e bërë atë jo vetëm nëpër stadiume, por edhe në sheshin e Shkupit, siç ishte rasti i mbrëmshëm i tifozërisë së Ekipit Vardar, Komitët”, thuhet në reagimin e ASH-së.

CIVIL: Sporti duhet t’i tejkalojë dallimet etnike, dhe jo ti nxisë
Nga Qendra për Liri “CIVIL”, kanë kërkuar nga institucionet të reagojnë me kohë dhe mos të lejojnë, siç e quajnë ata, “edhe një kremte të urrejtjes”.

“U bëjmë thirrje hendbollistëve ta dënojnë ashpër çdo tentim për nxitje të gjuhës së urrejtjes dhe dhunës! Kërkojmë nga institucionet të reagojnë me kohë dhe të mos lejojnë edhe një “kremte të urrejtjes”! Të marrin masa urgjente, t’i hetojnë këto raste dhe urgjentisht ta ndëshkojnë nxitjen e dhunës dhe urrejtjes ndëretnike. Civili edhe më tej do ta ndjek zhvillimin e ngjarjeve lidhur me incidentet e mbrëmshme. Mosndëshkimi i këtyre veprimeve duhet të ndalet përgjithmonë”, thuhet në reagimin e “CIVIL”-it.

Përndryshe, si pasojë e gjuhës së urrejtjes nga tifogrupet, përveç sulmeve verbale, ka pasur edhe sulme fizike të cilat kanë shkaktuar edhe vdekje. Shembull është rasti i rrahjes për vdekje të 20-vjeçarit Nikolla Sazdovski – pjesëtar i tifozëve “Komitët”, më 20 qershor 2018, në stacionin e autobusëve në Autokomandë. Vrasja e tij, siç u shkrua në media, është kryer si pasojë e gjuhës së urrejtjes me javë të tëra tash dënuarit me burg, Besim Bela, Skender Demiri dhe Jeton Luzha ishin përleshur verbalisht në internet në linjë etnike. Madje ashtu siç mund të shihet, profili në “Facebook” i të ndjerit Sazdovski ka qenë i mbushur me gjuhë të urrejtjes. Për rastin e Sazdovskit, Gjykata Penale në Shkup u caktoi nga 19 vjet dënim me burg Belës, Demirit dhe Luzhës.