Dita e parë e festivalit ndërkombëtar në Bodrum solli një përvojë të veçantë për qytetin dhe vizitorët e tij, me pjesëmarrjen e ansamblit shqiptar “Ibe Palikuqi”. Në një atmosferë festive dhe të ngrohtë, rrugët historike të qytetit u mbushën me ngjyra dhe ritme shqiptare, teksa valltarët defiluan me plis dhe veshje tradicionale, duke zgjuar kureshtjen dhe entuziazmin e vendasve.
Ky aktivitet shënoi vigjiljen e Ditës së Verës, një ngjarje që u pasurua nga një zakon simbolik i prezantuar nga ansambli vendas – ardhja e verës dhe ikja e dimrit – një performancë me domethënie të thellë kulturore.
Ansambli “Ibe Palikuqi” u prezantua me vallen “Mozaiku”, e cila u prit me duartrokitje të zjarrta nga publiku. Si gjithmonë, ky ansambël dëshmoi vlerat e larta artistike dhe kulturore që përfaqëson, duke lënë mbresa të pashlyera jo vetëm te qytetarët, por edhe te studiuesit dhe muzikologët e pranishëm.
Me moton e tyre krenare “Shkollë e Kulturës Shqiptare”, “Ibe Palikuqi” vazhdon të jetë ambasador i denjë i traditave tona në skenat ndërkombëtare.