Festivali në Kanë/ Filmi iranian fiton “Palmën e Artë”, regjisori kritik ndaj regjimit

Festivali i 78 i filmit në Kanë e ka tashmë një fitues! Dhe siç ka ndodhur zakonisht edhe në edicionet e tjera të këtij eventi të madh kinematografik, filmi që triumfon ka një mesazh të fortë.

Marketing

“It was just an accident” i regjisorit iranian Jafar Panahi ishte filmi që rrëmbeu “Palmën e Artë”.

Filmi tregon historinë e pesë iranianëve të zakonshëm të cilët përballen me një burrë që ata besonin se i kishte torturuar në burg. Personazhet u frymëzuan nga bisedat që regjisori pati me të burgosur të tjerë dhe historitë që ata i treguan për dhunën dhe brutalitetin e qeverisë iraniane.

Panahit, të cilit i është ndaluar të bënte filma në vendin e tij, në fjalimin e tij të fitores foli kundër kufizimeve të regjimit.

Ai u duartrokit teksa u bëri thirrje iranianëve të tjerë të lënë mënjanë dallimet dhe problemet.

“Liria e vendit tonë është më e rëndësishme. Le të bashkojmë forcat”, tha regjisori.

Panahi ka qenë vet një viktimë e regjimit dhe u lirua nga burgu në vitin 2023. Ai u dënua më 7 vjet burg, por qëndroi vetëm 6 muaj në qeli, pasi protestoi kundër ndalimit të dy kolegëve regjisorë që kishin qenë kritikë ndaj autoriteteve.

Udhëtimi i tij në Kanë ishte paraqitja e tij e parë në një festival ndërkombëtar në 15 vjet, pasi regjimi ia kishte ndaluar të udhëtonte.

Pas festivalit të Kanës ai është zotuar të rikthehet në Iran, edhe pse përbëllet sërish me rrezikun e persekutimit.

Tashmë rruga e Panahi mund të vijojë në Kaliforni me çmimet Oscar, pasi katër nga pesë fituesit e fundit të Palmës së Artë janë nominuar për çmimin Oscar për filmin më të mirë.

Megjithatë, “It was just an accident” nuk ka gjasa të nominohet për çmimin Oscar për filmin më të mirë ndërkombëtar. Filmat duhet të kenë një shfaqje kinematografike në vendin e tyre të origjinës për të qenë të pranueshëm për atë çmim, dhe filmat e Panahit janë të ndaluar në Iran.