Zëvendëskryeministri i ngarkuar për politikat e qeverisjes së mirë, Arbën Fetai, sot u takua me Përfaqësuesin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Takimi u zhvillua në atmosferë të hapur dhe konstruktive, ku u diskutua për prioritetet strategjike të Qeverisë në kontekstin e integrimit evropian.
Zëvendëskryeministri Fetai dhe Përfaqësuesi Special Sarrazin shkëmbyen mendime mbi nevojën për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, që mbetet një objektiv strategjik për Maqedoninë e Veriut. Gjatë bisedës, Fetai theksoi përkushtimin e fortë të Qeverisë për avancimin e reformave kyçe, siç janë forcimi i shtetit ligjor, intensifikimi i luftës kundër korrupsionit dhe ndërtimi i institucioneve demokratike të qëndrueshme dhe funksionale.
Theks i veçantë iu vu ruajtjes dhe përparimit të harmonisë ndëretnike, si dhe promovimit të diversitetit gjuhësor – vlera që përbëjnë bazën e kohezionit shoqëror dhe zhvillimit të vendit.
Përfaqësuesi Special Sarrazin nënvizoi rëndësinë e përmbushjes së detyrimeve që dalin nga Korniza Negociuese dhe inkurajoi autoritetet në Maqedoninë e Veriut të shfrytëzojnë momentin e favorshëm për nisjen e negociatave për anëtarësim. Ai theksoi se brenda BE-së ekziston konsensus i gjerë për nevojën e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.