Zëvëndëskryeministri, Arben Fetai, ka reaguar së fundmi mbi ngjarjet e kobshme që ndodhën mbrëm gjatë festës së ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Sipas Fetait, djegia e flamujve është akt qyqar dhe si pasojë e rritjes së ekstremizmit si rrjedhojë e mos ndëshkimeve adekuate. “Djegia e flamujve maqedonas dhe shqiptarë natën e kaluar është vepër qyqare që tregon një rritje të rrezikshme të mosdurimit dhe ekstremizmit. Aktet e tilla të urrejtjes dhe ndarjes dëmtojnë stabilitetin e vendit tonë dhe rrezikojnë të ardhmen tonë shoqëri multi-nacionale. Por problemi është më i thellë se këto incidente të izoluara. Gjuha e urrejtjes dhe ekstremizmi kanë depërtuar që moti në shumë segmente të shoqërisë, duke nxitur më tej ndarjen dhe mosdurimin. Sa dënime janë shqiptuar deri më tani për ekstremistët që kërkojnë dhoma gazi për shqiptarët apo brohorisin shqiptari i mirë është shqiptar i vdekur?”, ka shkruar Fetai. Ai tutje ka shtuar se kjo situatë nuk është e rastësishme por si pasojë e nxitësve të cilët kanë emër dhe mbiemër, janë politikanë që janë shndërruar në aktorë destabilizues. “Ky mjedis i shpifur nxitet nga politikanë ekstremistë dhe të korruptuar, aktorë destabilizues të cilët manipulojnë dhe indoktrinojnë qytetarët për interesat e tyre personale. Ne duhet të refuzojmë së bashku ekstremizmin dhe të kërkojmë llogaridhënie për çdo krim të gjuhës së urrejtjes apo mosdurimit në baza kombëtare. Drejtësia duhet të jetë e verbër, e paanshme dhe shembullore – llogaridhënia selektive vetëm se thellon ndasitë dhe prodhon më shumë urrejtje”, ka shtuar Arben Fetai, zëvendëskryeministër. Fetai gjithashtu ka përfunduar me një apel drejtuar organeve të drejtësisë me çka kërkon paanshmëri në dhënien e gjobave e marrjen e vendimeve, pasi sipas Fetai mungesa e dënimeve pa dallime e ndasi ka nxitur rritjen e ekstremizmit deri në këtë stad. “Vetëm përmes drejtësisë, respektit të ndërsjellë dhe unitetit kundër ekstremistëve mund të ruajmë të ardhmen e vendit tonë. Është koha për të zëvendësuar urrejtjen me dialog dhe për të mbajtur përgjegjës aktorët ekstremistë dhe destabilizues”, ka përfunduar Fetai.