Në prag të Muajit të Shenjtë të Ramazanit, kreu i Bashkësisë Fetare Islame, reis.ulema h. hfz. Shaqir efendi Fetai ka uruar besimtarët myslimanë në Maqedoninë e Veriut. Ai theksoi se muaji i Ramazanit është muaj i begative të shumta dhe mundësisë për kultivimi të respektit dhe të thellimit të dashurisë ndaj njëri-tjetrit.
“Ky muaj është edhe rast i volitshëm i pajtimit tonë, i shtrirjes së ndihmës atyre që kanë nevojë – në veçanti, të varfërve dhe skamnorëve, sepse vetëm në këtë mënyrë do të jemi më afër kënaqësisë dhe faljes së Allahut Fuqiplotë. Më lejoni që në emër të BFI së RMV-së dhe në emrin tim t’ju shpreh urime të përzemërta me këtë rast, me lutje Allahut Fuqiplotë që të na japë forcën e imanit, vetëdijen e lartë, vullnetin e paluhatshëm, që me përkushtimin më të madh të kryejmë agjërimin. Ibadetet dhe lutjet tona të sinqerta – në veçanti, lutjet tona për një botë në paqe e tolerancë shkojnë konform fjalëve të Muhamedit (a. s.): “O ju që keni besuar. Agjërimi është bërë obligim për ju sikur ka qenë obligim edhe për ata që ishin para jush. Për t’ju bërë më të devotshëm.”(El: Bekaretu: 183)”, theksoi Fetai në mesazhin e tij.