Fetai në takim te Kurti, pa Taravarin! Aliu: Do të vazhdoj procesin që e nisëm së bashku në VLEN

Një pjesë e ASH-së tashmë është e qartë se nuk do të shkojnë pas Arben Taravarit. Zëvendëskryeministri i Qeverisë Arben Fetai bashkë me Azir Aliun, Syrija Rashitin dhe Feta Alimin u pritën në vizitë te kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Fetai në rrjetet sociale postoi fotografi nga takimi duke shkruar:

Marketing

“Në agimin e kësaj dite, së bashku me disa miq të idealit nga Aleanca për Shqiptarët, morëm rrugën drejt Prishtinës, duke përshkuar autostradën “Arbën Xhaferi”, një rrugë që për ne nuk është thjesht infrastrukturë, por simbol i lidhjes sonë shpirtërore dhe kombëtare.

 

Aty në Prishtinë, zhvilluam një bisedë vëllazërore me mikun tonë, Albin Kurti. Ajo që na bashkon sot, më shumë se kurrë, është vizioni dhe ideali ynë i përbashkët për progres dhe zhvillim, një ideal që s’njeh kufij, as pengesa”, tha Arben Fetai – zëvendëskryeministër.

Edhe ish ministri i administratës, Azir Aliu, në profilin e tij ka shkruar se do të vazhdojë të jetë pjesë e VLEN-it.

“Unë besoj se përcaktimi për ndryshim në shoqëri nuk braktiset me pengesën e parë por ndërtohet me edhe më shumë punë! Me respekt të madh për kryetarin e partisë dhe të drejtën e tij për vlerësim politik, ndjej detyrim që publikisht të them se unë do të vazhdoj të jem pjesë e procesit që e nisëm së bashku në VLEN dhe në këtë Qeveri!”, shtoi Azir Aliu – ASH.

Ndryshe Arben Taravari braktisi koalicionin VLEN me qëllim që në zgjedhje komunale të shkojë me lista të veçanta të këshilltarëve. Për këtë shkak u detyrua të largohet edhe nga Qeveria, ndërsa dorëheqja e tij si ministër i shëndetësisë do të konstatohet të martën në kuvend.