Kryetari i bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, të martën më 06.10.2020 u zgjodh anëtar i Këshillit Botëror të Komuniteteve Myslimane me seli në Abu D’habi në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas informatave të këtij Këshilli, Kreu i BFI H. Hfz Shaqir ef. Fetai u zgjodh anëtar i plotë i Këshillit Botëror të Komuniteteve Myslimane me seli në Abu D’habi në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa përzgjedhja e tij u bë duke u bazuar në punën e palodhshme dhe kontributin e dhënë të Kreut të BFI H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, gjatë tërë jetës së tij në të mirë të institucionit islam në vend, pra Bashkësisë Fetare Islame në RMV, në shpjegimin e Islamit dhe kulturës Islame në përgjithësi dhe në mbështetjen e besimtarëve myslimanë.
Që në moshën e re, 14 vjeç, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai e kreu hifzin, e më pas kontributin e tij e dha si: imam, mualim, mësimdhënës në SHM. Medreseja Isa Beu, anëtar i Këshillit Themeltar të Fakultetit të Shkencave Islame Shkup, udhëheqës i suksesshëm i disa drejtorive në Rijasetin e BFI, iniciator i themelimit të Medresesë për vajza në Gostivar, iniciator i themelimit të institutit të Hifzit dhe bukur leximit të Kuranit Famëlartë “Hfz. Hasan ef. Zendeli”, pjesëmarrës i suksesshëm në shumë konferenca dhe simpoziume kombëtare dhe ndërkombëtare, autor dhe publicist i 6 veprave dhe mbi 300 artikujve të botuar nëpër gazetar dhe revista të ndryshme në vend dhe jashtë vendit në gjuhë të ndryshme, fitues i shumë dekoratave nga institucione kombëtare dhe ndërkombëtare.
Gjithashtu në informacionet e Këshillit Botëror të Komuniteteve Myslimane përmendet edhe kontributi i madh që H. Hfz. Shaqir ef. Fetai e ka dhënë për plot 18 vite si Myfti i Myftinisë së BFI Gostivar në mirë organizimin e jetës fetare, kthimin e pronave të vakëfit dhe krijimin e kushteve dhe objekteve të reja me qëllim të organizimit sa më të mirë të jetës fetare në këtë Myftini dhe më gjerë.