Një kërkesë e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky për të ndarë një mesazh për paqe në botë para fillimit të finales së Kupës së Botës të dielën është refuzuar nga FIFA, raporton “CNN”.
Burimet e “CNN” thanë se zyra e Zelenskyt ofroi që të shfaqet në një video-lidhje për tifozët në stadiumin e Katarit përpara ndeshjes, ndërsa u befasua nga përgjigja negative e FIFA-s.
Është e paqartë nëse mesazhi i Zelenskyt do të transmetohej drejtpërdrejt apo do të ishte i regjistruar.
“Ne menduam se FIFA dëshironte ta përdorte këtë platformë për të mirën e popullit”, tha burimi në fjalë.
Sidoqoftë, bisedimet mes Ukrainës dhe FIFA-s ende po vazhdojnë, ndërsa “CNN” ka kërkuar një përgjigje nga FIFA, por megjithatë nuk e ka marrë një të tillë.
Kërkesa, edhe pse jo e zakonshme, nuk është befasuese. Kyiv është përpjekur vazhdimisht të përdorë ngjarjet kryesore botërore, pavarësisht nga tema e tyre, për të mbajtur në qendër të vëmendjes globale luftën në Ukrainë.