Një lajm i mirë për familjet e prekura nga tërmeti në zonat rurale dhe që këto ditë po i kalojnë në çadrat dimërore. Bashkia e Tiranës ka nisur strehimin strehimin e përkohshëm të këtyre familjeve në këto ditë të ftohta, kryesisht në zonat rurale, ne banesa në formë konteiner. Një prej përfitueseve të para është familja e Bedri Shkallës në Farkë, të cilës iu shemb shtëpia nga tërmeti i 26 nëntorit. Gjashtë anëtarët e kësaj familje janë strehuar në një shtëpinë-kontenier, dhuratë nga familja e filantropit Lazim Destani, e cila ofron të gjitha kushtet për të kaluar dimrin, deri në montimin më pas të banesave të reja nga qeveria shqiptare.
Lajmi është publikuar nga vetë kryebashkiaku Erion Veliaj, veçse ka qenë i pranishëm në familjen Shkalla bashkë me Kryeministrin Rama, vizitës në fjalë dhe ndihmës nga familja Destani, i kushtoi dhe një status në rrjetet e tij sociale.
Lajm i mirë: 200 shtëpiza-kontenierë për strehimin e përkohshëm të familjeve të prekura nga tërmeti në zonat rurale. Bashkë me kryeministrin Edi Rama, vizituam familjen e Bedri Shkallës në Farkë, e cila është strehuar në një shtëpizë-kontenier, dhuratë nga familja e filantropit Lazim Destani. Këto shtëpiza ofrojnë të gjitha kushtet për të kaluar dimrin, deri në sistemimin në banesa të reja”, thotë Veliaj në statusin e tij, të shoqëruar dhe me disa foto.
Konteinerët e dhuruar nga Z.Lazim Destani dhe familja e tij, janë të ndërtuar posaçërisht për banim. Ata janë të përmasave 6×2.4 meter, me të gjitha kushtet e domosdoshme për banim, të pajisur me shtretër, kondicionerë, banjo, sistem ndriçimi, energjie dhe uji. Kjo është ndër ndihmat e radhës së filantropit Destani, pasi pa kaluar ende 24 orë nga termeti i 26 nëntorit, në Durrës mbërritën tre kamionë dhe një furgon me ndihma nga familja Destani dhe kompania që drejtojnë, Ecolog International.