Në Kumanovë sot u përurua finalizimi i objektit të ri të Qendrës Emergjente në kuadër të Spitalit të përgjithshëm të kësaj komune. Në ceremoninë e përurimit ishte i pranishëm ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, ministri i brendshëm, Oliver Spasovski, drejtoresha e spitalit nga radhët e LSDM si dhe funksionarë të tjerë lokal të kësaj partie. Ndërkohë, nuk ka qenë i pranishëm asnjë zyrtarë shqiptarë, qoftë edhe nga stafi i mjekëve, bëjnë të ditur burime pranë spitalit të Kumanovës.
Ministri Filipçe tha se dikasteri i tij po vazhdon të ketë në fokus investimet në shëndetësi dhe përmirësimin e kushteve. “Punimet ndërtimore kanë përfunduar dhe se në këtë objekt do të vendoset ambulanca emergjente kirurgjike, ortopedike, anesteziologjia, tomografia kompjuterike dhe EHO diagnostika”, theksoi ministri Filipçe. Kjo qendër pritet të vihet në funksion pas dy muajve.