Kandidati për Kryetar komune në Gostivar, z. Nevzat Bejta bashkë me Ministrin e Shëndetësisë, z. Venko Filipçe vizituan banorët e lagjes Dutllëk dhe pjesën qendrore të qytetit.
Largimi i deponisë “Rusino” për kohë të shkurtër, largimi i të gjithë qenve endacak nga rrugët e qytetit në njëqindditëshin e parë, investime në stadiumin kryesorë dhe rikonstruim të stadiumit ndihmës.
Këto premtime para banorëve të Lagjes “Dutllëk” i bëri kandidati i BDI-së për kryetar komune në Gostivar, Nevzat Bejta. Sikurse përgjatë kësaj fushate që ai pati mbështetje nga pushteti qendor, sonte bashkë me Bejtën në Dutllëk ishte edhe ministri i shëndetësisë njëherit nënkryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
“Në lagjen tuaj mandatin e kaluar ndërtuam urën e parë pas demokracisë, zgjeruam rrugën dhe shkarkuam komunikacionin. Po në këtë lagje do të ndërtojmë urën e radhës duke eleminuar një herë e përgjithmonë pengesat në komunikacion. Kjo lagje ka frekuentim pasi ka qendrën tregtare “ETC”-në, ka restorante dasmash, dhe me urën e re që do të ndërtojmë, ai maltretim sidomos gjatë verës kur në vendlindje i kemi bashkëatdhetarët tanë, do merr fund. Mos ndëgjoni kundërkandidatin tim, pasi edhe ai e di se pa mbështetjen e qeverisë projektet e mëdha nuk mund të realizohen. Kam mbështetje të plotë të qeverisë dhe së bashku me pushtetin qendor Gostivarin do ta bëjmë qytet sikurse qytete e vendeve të zhvilluara perendimore”, tha Bejta dhe shtoi se këtë mandat nuk e kërkon për karierë politike, por për rregullimin e Gostivarit së bashku me Iniciativën “Gostivari që dua”, pasi siç theksoi, qyteti katër vitet e kaluara është lënë pas dore nga ata që pos politikës dhe fyerjeve, nuk bëjnë asgjë tjetër.
Ministri Venko Filipçe i bëri thirrje banorëve të Lagjes “Dutllëk” të mbështesin kandidaturën e Nevzat Bejtës, pasi siç ai u shpreh, i gjithë vendi e di kapacitetin e tij menaxherial dhe se sa e do ai Gostivarin.
“Masovikisht ju ftojë me 31 tetor të dilni dhe ta mbështesin njeriun i cili vazhdimisht do ta ketë derën hapur për ju, do zgjidh hallet tuaja, do punojë si ka punuar në të kaluarën për Gostivari. Ai bart vlera, e njoh personalisht dhe mbi të gjitha ju do votoni për njeri të ndershëm e familjarë”, deklaroi ministri Filipçe. Bejta premtoi edhe rregullimin e të gjithë parkut të madh të qytetit dhe bëri thirrje të “mos lejojmë të tjerët të fitojnë, pasi ata parashohin shkatërrimin e këtij parku”.
Bejta dhe Filipçe takuan edhe banorët e Lagjes “Qendër”, të Gostivarit.
Aktivitetet e Bashkimi Demokratik për Integrim – BDI në Gostivar, do të vijojnë edhe në ditët në vijim. Të mërkurën me fillim prej ora 19:30 në restorant Albis, lideri i BDI, z. Ali Ahmeti do të realizon takim me pjesëtarët e komunitetit turk në Gostivar.
Ndërkohë, të mërkurën në ora 19:00 tek Pallati i Kulturës në Gostivar, Forumi i Gruas së BDI dhe LSDM, do të organizojnë tribunë me temë: Strategjitë e përbashkëta për përkrahjen e gruas në komunën e Gostivarit.