Filipçe: Nëse masat nuk japin rezultate, mund të vendosim masa të reja kufizuese

Vendi po përballet me një valë të fuqishme të pandemisë, pasi për çdo ditë po regjistrohet numër i lartë i personave të infektuar dhe atyre në trajtim spitalor, thotë ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Marketing

Sipas tij, për efektet e masave të deritanishme do të diskutohet në fillim të javës së ardhshme, ndërsa nuk e përjashton mundësinë edhe për masa të reja kufizuese, nëse konstatohet se masat aktuale nuk po japin rezultate.

“Pritshmëritë janë se pas vendosjes së një mase të caktuar rezultatet do të jenë të dukshme brenda 7 deri në 10 ditë. Në fillim të javës së ardhshme presim rezultate nga vendosja e orës policore nga ora 22 deri në orën 5 të mëngjesit. Qëllimi ishte të kufizohet lëvizja e të rinjve të cilët komunikojnë intensivisht në parqe, hapësira publike dhe nëpër shtëpi, pas mbylljes së objekteve hotelierike. U konstatua se ata janë ndër bartësit kryesorë të virusit. Këtë e shohim nga grupmosha e të dignostifikuarve të rinj. Jemi të gatshëm të vendosim edhe masa të reja restriktive nëse ato aktuale nuk japin rezultatet e dëshiruara.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Sa i përket arritjes së vaksinave për imunizimin e popullsisë, ministri Filipçe nuk dëshiron të saktësojë se kur ato do të arrijnë, duke shtuar se paralajmërimet janë se vaksinat e “AstraZeneca”-s apo vaksinat kineze pritet të arrijnë në fund të marsit apo në fillim të prillit.

“Ne jemi për çdo ditë në komunikim. Me të vërtetë edhe prodhuesit po përballen me presionin që t’i dërgojnë vaksinat në mbarë botën. Kemi disa paralajmërime, ato janë për fundin e muajit apo në fillim të prillit, por duke e pasur përvojën tonë të deritanishme, përvojën e vendeve tjera dhe përvojën e sistemit Kovaks, atëherë kur do të jemi të sigurt se janë nisur vaksinat drejt vendit tonë ne do ta publikojmë.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Filipçe njëherit theksoi se të gjitha vaksinat anti Kovid janë të sigurta, përfshirë dhe atë të AstraZeneca-s, me të cilën pas njoftimit të Agjencisë Evropiane të Ilaçeve se vaksina është e sigurt, do të vazhdojë vaksinimi edhe në të gjitha vendet evropiane, ku ditë më parë ishte pezulluar.

Aktualisht me vaksinat e Fajzer është imunizuar grupi prej katër mijë personash nga personeli mjekësorë, derisa me vaksinën ruse Sputnik V, është në rrjedhë e sipër edhe vaksinimi i tre mijë personave të tjerë nga personeli mjekësor i spitaleve, laboratorive, sektorit privat shëndetësorë, mjekët amë dhe stomatologët

Marketing