Repartet e sëmundjeve infektive po mbushen me shpejtësi në të gjithë vendin. Kumanova, Strumica dhe Velesi mbetën pa vende të lira nëpër spitale dhe 18 pacientë me Covid-19 u dërguan në spitalet në Shkup. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe thotë se ditët e fundit më shumë pacientë pranohen në spitale sesa lëshohen. Në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup ka edhe 10 vende të lira, ndërsa mundësitë janë të mëdha të aktivizohet spitali i improvizuar.
Spitali modular pranë Klinikës së Sëmundjeve Infektive është gati dhe mund të jetë në funksion. Kemi edhe kuadër të gatshëm të menaxhojnë fizikisht punën e pacientëve që do të vendosen atje. Pajisjet tashmë janë vendosur, dhe menjëherë mund të vihen në punë.”-tha Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.
Përveç plotësimit të kapaciteteve, problem është edhe largimi i mjekëve dhe infermiereve nga repartet e sëmundjeve infektive në klinikat shtetërore në spitalet private. Një mjeke nga Klinika e Sëmundjeve Infektive dha dorëheqje, ndërsa përfundimisht largohen edhe tre infermieret që nuk u bindën as nga takimi me ministrin. Njoftim për largim ka edhe nga shefja e repartit të infektologjisë në spitalin “8 Shtatori”.
Këta mjekë janë të mjaftueshëm, por ne jemi të gatshëm të ndërhyjmë me sistemin e rotacionit nëse ndonjë repart ka nevojë për mbështetje. Unë bisedova me ta. Disa prej tyre janë të lodhur, disa të tjerë kanë arsye të tjera, vërtetë e kam vështirë ta them saktësisht.” -theksoi Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.
Filipçe beson se masa të tilla si mbajtja e maskave në ambiente të hapura, kufizimi i mysafirëve në shtëpi për të shmangur grumbullimet do të japin rezultate. Masat duhet të kalojnë në seancën qeveritare më së voni deri të martën. Nëse numri i të infektuarve nuk zvogëlohet, parashikohen kufizime shtesë siç janë zvogëlimi i numrit të udhëtarëve në transportin publik dhe kufizimi i objekteve të hotelerisë. Qëllimi është të shmanget karantina.
Unë sinqerisht besoj se kjo pako e propozuar e masave, kufizimet, rritja e kompetencave të inspektorateve, por edhe thirrja e vazhdueshme e qytetarëve që t’u përmbahen këtyre masave që janë praktikisht një hallkë kyçe në këtë zinxhir, do të japë rezultate. Hapi tjetër është karantina e plotë, mbyllja e plotë. Ne tani ende jemi larg, por dalëngadalë po na mbarojnë mundësitë.”-tha Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.
Filipçe kërkon ndihmë edhe nga qytetarët. Thotë se secili për veten e tij është edhe inspektor edhe polic dhe se pa vetëdije individuale, sistemi nuk do të jetë në gjendje ta përballojë valën e Kovidi-19 në vjeshtë.