Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, pret që brenda 7 ditëve në vend të mbërrijnë 500,000 doza të vaksinave kineze “Sinovak”, por nuk kishte përgjigje se kur do të arrijë sasia e dakorduar e vaksinave ruse “Sputnik V”.
Për vaksinat “Pfizer” tha se vendi do të vazhdojë të pranojë çdo të hënë mijëra doza nga kjo vaksinë, por nuk kishte datë të saktë as për arritjen e sasive të premtuara të vaksinave “Pfizer” përmes sistemit “Covax”.
“Çdo të hënë vijnë vaksinat “Pfizer”, sasia e dakorduar me marrëveshjen tonë bilaterale si dhe nga sistemi për solidarizim nga vendet e BE-së. Ende nuk kemi datë të saktë për 100 mijë dozat e “Pfizer” që duhet të vijnë nga sistemi COVAX gjatë qershorit. Nuk kemi informacione për vaksinat ruse, por gjatë së enjtes nga Ambasada Popullore e Kinës jemi informuar se brenda 7 ditëve mund t’i presim 500 mijë dozat e vaksinës “Sinovac”.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Të gjithë do marrin dozën e dytë në kohë
Filipçe është i prerë se ata që kanë pranuar dozën e parë, nuk do të mbesin pa marrë dozën e dytë për shkak të mungesës së vaksinave.
“Nga çdo dërgesë që arrin, gjysma lihet mënjanë për një dozë të dytë. Është një strategji e mirë duke pasur parasysh vonesat.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Sa u përket qytetarëve të vaksinuar në Serbi me dozën e parë, Filipçe sqaron se bëhet fjalë për rreth 1 mijë të tillë e ka një dakordësi me homologun e tij serb që të hapet një pikë për qytetarët e RMV-së që do të rivaksinohen.
“Bisedova me ministrin Lonçаr, nëse do të ketë mundësi që të organizohet një punkt më afër vendin tonë për qytetarët tanë, që duhet të rivaksinohen më datën 16 dhe 17 qershor. Morëm përgjegjësi që ta organizojmë këtë proces, për detaje do të flasim ditëve në vijim.”,- theksoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Aktualisht në vend janë vaksinuar 243.832 qytetarë, prej të cilëve 125.829 janë rivaksinuar. Në ueb faqen zyrtare për vaksinim janë paraqitur 438.879 mijë qytetarë.