



Nëpër covid-qendra po trajtohen rreth një mijë pacientë. Numri i rasteve pozitiv me Covid-19 në nivel ditor po bie dhe faktori i transmisionit është zvogëluar për një njësi. Kjo sipas Ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe nënkupton se kjo valë po shuhet, duke shtuar se edhe situata në Tetovë ka filluar të qetësohet. Por edhe përkundër kësaj numri i personave që ndërrojnë jetë si pasojë e këtij virus është i lartë. Kjo po ndodh ngaqë pacientët vonë paraqiten në spitale deklaroi ministri. Vdekshmëria më e lartë nga Covid-19 është tek personat mbi 60 vjeç, ku 73% e tyre kanë qenë me sëmundje kronike, ndërsa javën e kaluar nga vala e katërt pati raste të vdekjes tek persona më të rinj, mes tyre jetën e humbi një 24 vjeçar.
“Një kohë të gjatë po mjekohen jashtë spitaleve dhe vijnë vonë, me parametra shumë të këqij dhe saturim të dobët. Periudhën e kaluar dëgjuam lajme se pacientët nuk mjekohen sipas protokolleve, më lejoni të them se kjo nuk është e vërtetë. Në çdo spital ka protokoll të duhur, rekomandim, terapi dhe indikacion për terapinë. Nuk ka qasje të unifikuar për Covid askund”, tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Protokollet dhe masat aktuale anti-covid do të ngelen të njëjta, sa i përket hyrjes nëpër objekte. Ministri insiston që të vaksinohen personat që e kanë kaluar virusin në 45 ditët e kaluara, ndonëse ata kanë imunitet natyror. Filipçe thotë se këtë po e bën që të nxitet vaksinimi te qytetarët dhe se nuk ka kundërindikacione që të vaksinohen qytetarët një muaj pasi ta kalojnë virusin. Edhe pak qytetarët nuk do të mund të hyjnë në kafe pa i pranuar të dy dozat e vaksinave kundër Covid-19, gjegjësisht pa u imunizuar në tërësi.
“Qëllimi i të gjitha masave është që të rritet numri i të vaksinuarve dhe ne këtë po e arrijmë. Ne e mbrojmë shëndetin e qytetarëve dhe nuk ka absolutisht kundërindikacione që të vaksinohen personat pas një muaji pasi ta kalojnë infeksionin. Kështu ne e mbrojmë sistemin shëndetësore por edhe shtetin në përgjithësi nga ndonjë valë e ardhshme”, shtoi Filipçe.
Në vend janë aplikuar gjithsej 1.253.612 doza vaksinash, ndërsa janë rivaksinuar 531.033 qytetarë, kumtojnë nga Ministria e Shëndetësisë. Përndryshe nga nesër qytetarët tanë nuk mund të dalin ose të hyjnë nëpër pikat tona kufitare pa certifikatë vaksine ose test PCR ose antigjen.