Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në një konferencë për shtyp pranë Qeverisë ka bërë të ditur se dje janë testuar tre pacientë të dyshuar për koronavirus, por që të tre kanë rezultuar negativë. “Tre pacientë janë testuar për virusin korona në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup dhe rezultatet kanë dalë negative”, u shpreh Filipçe. Të testuarit vinin nga Italia dhe nga Spanja. Filipce tha se kontrollet në aeroportet e Shkupit dhe Ohrit vazhdojnë për të gjithë udhëtarët që dalin dhe hynë në vend, por veçanërisht për udhëtarët që shkojnë drejt Italisë dhe kthehen prej aty. Ai apelojë që të shmangen udhëtimet në vendet ku rreziku i koronavirusit është edhe më i lartë, vende si Italia, apo edhe lindja e largët. Gjatë pyetjeve të gazetarëve për kinezët që punojnë në vendin tonë ai tha se aktualisht në vendin tonë janë 8 persona nga Kina që punojnë në kompaninë kineze për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër, Sinohidro dhe këta persona janë vetizoluar në qytetin e Kërçovës. Ndërsa situata në Rajon është me e qetë, nuk ka të infektuar në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, Bosnjë Hercegovinë dhe Mal të Zi. Vetëm 8 persona të infektuar në Greqi, ku 4 persona janë izoluar në Selanik dhe 4 të tjerë në Athinë.