Vaksina kundër virusit korona për të cilën besohej se do të nevojiten vite për ta zbuluar, duket se do të jetë në dispozicion shumë më herët. Vendet, në mesin e të cilëve edhe Maqedonia e Veriut, kanë filluar të shqyrtojnë mekanizmat për furnizimin me vaksinën e Oxfordit.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë për Alsat se Maqedonia e Veriut si shtet jo anëtarë i BE-së, nuk mund të furnizohet drejtpërdrejt nga prodhuesi, por duhet ta blejë të njëjtën nga shtete që do të furnizohen të parat. Ajo që dihet deri tani është se qytetarët vaksinën do ta marrin falas.
“Njëri është mekanizmi Kovacs, përmes OBSH-së dhe Aleancës së Imunizimit. Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale me kompaninë që punon për vaksinën Oxford “Astra Zeneka”. Ndërkohë, ne morëm një ofertë nga Polonia që të sigurojë një sasi të përshtatshme edhe për ne, sepse nuk do të kemi mundësinë për një marrëveshje bilaterale. Përfundimisht, me dy mekanizma sigurojmë që vaksina të jetë në dispozicion të qytetarëve tanë, pa pagesë.”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Sa doza të vaksinës do të arrijë të siguroj dhe sa në fakt nevojiten? Sa buxhet do të duhet të ndahet për blerjen e saj? Me çfarë çmimi do të blihet vaksina? Kur afërsisht planifikohet të nisë procesi i vaksinimit dhe cila kategori e qytetarëve do të vaksinohet fillimisht? Sa herë duhet të vaksinohet një qytetarë? Këto janë disa nga pyetjet për të cilët, tani për tani, dikasteri i Shëndetësisë nuk ka përgjigje. I pyetur nëse ka drojë se qytetarët do t’i rezistojnë vaksinimit, ministri Filipçe tha se tani vetëdija e qytetarëve është më e lartë dhe prania e sëmundjes bën që ata të kuptojnë rëndësinë e pranimit të kësaj vaksine.
“Unë mendoj se tani që ekziston një sëmundje për të cilën nuk ka vaksinë, njerëzit po ndërgjegjësohen se sa i rëndësishëm është vaksinimi. Dhe kështu që unë mendoj se nuk do të ketë absolutisht asnjë rezistencë siç kishte në të kaluarën, sepse sëmundja është këtu. Ne jemi të vetëdijshëm për formën e saj të rëndë në disa pacientë- deklaroi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Rasti i parë me virus korona në Maqedoni u regjistrua më 26 shkurt. Që atëherë në vendin tonë janë infektuar 13 194 persona, prej të cilëve 118 gjatë 24 orëve të fundit. Lista e viktimave nga ky virus përmban emrat e 554 qytetarëve, duke përfshirë edhe tre personat që humben jetën gjatë natës së kaluar. Bëhet fjalë për një 64 vjeçar nga Tetova, një 74 vjeçar nga Struga dhe një 84 vjeçar nga Shtipi. Gjatë 24 orëve të fundit 124 pacientë fituan betejën me virusin COVID-19, duke çuar numrin e të shëruarve në 9752. Raste aktive vazhdojnë të jenë 2888.