Gjendja epidemiologjike në vend po shkon drejt përmirësimit, vlerëson ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, bazuar në uljen e numrit të rasteve të reja pozitive dhe numrin e kontrolleve mjekësore në Kovid qendrat në vend. Ka rënie të numrave për 50 deri në 100 të rasteve të sapodiagnostikuara në ditët e fundit, tha ministri i cili paralajmëroi edhe lirimin e një pjese të reparteve që ishin angazhuar në mënyrë shtesë për trajtimin e Kovid pacientëve, pasi tanimë ka mjaftueshëm shtretër të lirë. Ndërsa në fillim të javës së ardhshme do të vendoset nëse do të mbeten në fuqi apo do të zbuten masat aktuale kufizuese.
“Besoj se këto tendenca do të vazhdojnë dhe nuk do të ketë asgjë që do të na befasojë. Në fillim të javës tjetër do të flasim më tej për llojin e masave kufizuese që do të propozojmë.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.