Filloi edicioni i katërt i “Ditëve të Alfabetit”

Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, filloi edicioni i katërt i manifestimit kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit”, me temën qendrore “Studimet albanologjike në gjuhën gjermane”.

Marketing

Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se në këtë aktivitet po nderohen figurat e ndritura albanologjike, të cilat e kanë ngritur lartë emrin e gjuhës shqipe në mesin e gjuhëve më të njohura evropaine dhe botërore. Sipas tij, përmes këtij aktiviteti, Instituti ynë përkujton dy ngjarje madhore: 114-vjetorin e Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, dhe 15-vjetorin e themelimit të Institutit tonë.

Fjalë përshëndetëse pati drejtoresha e Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, Teuta Shala Peli, drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe, Ylber Sela, si dhe kryetari i Shoqërisë “Lëvizja” Xhevat Bislimi.

Shkupi i ka paraprirë gjithë botës shqiptare me këtë nismë të veçantë për këtë ngjarje të veçantë për gjuhën tonë. Me këtë rast u bë promovimi i pullës postale kushtuar 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, një kontribut i Filatelisë në kuadër të Postës së Maqedonisë së Veriut, përmes një bashkëpunimi të ngushtë ideor dhe praktik me ITShKSh. Për këtë foli drejtori i Filatelisë së Postës, Gani Dardhishta.

Dhe në pjesën e fundit u bë promovimi i botimit “Ditët e Alfabetit” – III. Sipas Sevdail Demirit, kryeredaktor i edicionit, ky është një vëllim i cili i mblodhi bashkë emrat më të njohur të studiuesve të botës arbëreshe, duke realizuar një botim të ngjeshur me materiale të larmishme shkencore kushtuar gjuhës, letërsisë dhe kulturës arbëreshe.

“Ditët e Alfabetit” nesër (15 nëntor, prej ora 11), vazhdojnë në sallën e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive.