Sot, në hotelin “Double Tree by Hilton” filloi konferenca dyditore për promovimin e barazisë gjinore “Gratë në politikën e jashtme”, të cilën për herë të parë e organizon Ministria e Punëve të Jashtme, me iniciativë të Zëvendësministres së Punëve të Jashtme Fatmire Isaki, nën kujdesin e Zonjës së parë Elizabeta Gjorgjievska.
Konferencën e hapi Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, i cili në paraqitjen e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e forcimit të rolit të gruas në politikën e jashtme, si dhe në sigurimin e rritjes së përfaqësimit të grave në proceset vendimmarrëse në vend. Promovimi i barazisë gjinore është në një linjë me synimet e Kombeve të Bashkuara për zhvillim të qëndrueshëm si dhe me zotimet e OSBE-së, me të cilën Republika e Maqedonisë së Veriut do të kryesojë në vitin 2023.
“Në përputhje me zotimet shtetërore dhe ndërkombëtare, Ministria e Punëve të Jashtme mori përsipër detyrën për të forcuar rolin e gruas në politikën e jashtme dhe për të ngritur zërin për barazi gjinore. Në këtë drejtim, Ministria tanimë ka realizuar aktivitete, siç është emërimi i grave ambasadore nga radhët e profesionalistëve të Ministrisë, përfshirja e barazisë gjinore në projekt-ligjin e ri të punëve të jashtme dhe ngjashëm. Në këtë linjë është edhe organizimi i konferencës së sotme e cila duhet të shndërrohet në event vjetor, e cila do të shkaktojë organizimin e eventeve të tjera më të vogla, siç janë punëtoritë tematike, seminaret, tryezat e rrumbullakëta, krijimi i rrjeteve dhe i platformave të bashkëpunimit, etj. të cilët do të zhvillohen gjatë vitit” – theksoi Osmani.
Në panelin e parë “A mund ta ndryshojnë botën gratë e politikës së jashtme?”, paraqitje kishin Zonja e parë Elizabeta Gjorgjievska, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme Fatmire Isaki, ndërsa në mënyrë virtuale morën pjesë edhe Ambasadorja holandeze për të drejtat e njeriut – Marriet Schurman, Kryetarja e “Femmes et Diplomatie” – Donnatienne Hissard dhe Alicia Herbet, Drejtore për Arsim, Gjini dhe Barazi në FCDO dhe e dërguar speciale për barazi gjinore në Kombet e Bashkuara.
Në kuadër të konferencës do të miratohet një deklaratë e përbashkët, me të cilën do të krijohet rrjeti i grave diplomate nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.