Filloi ndërtimi i sallës sportive në SHF “Vëllazërimi” në Komunën e Karposhit
Sot filloi ndërtimi i një salle të re sportive multifunksionale në kuadër të Shkollës Fillore “Vëllazërimi” në Komunën e Karposhit. Gurthemelin e vendosën kryeministri prof. dr. Hristijan Mickoski, ministrja e Arsimit dhe Shkencës prof. dr. Vesna Janevska dhe kryetari i Komunës së Karposhit, Sotir Lukrovski.
Bëhet fjalë për një investim në vlerë prej 64 milionë denarësh, të siguruara nga Qeveria përmes thirrjes për financimin e projekteve kapitale të komunave.
Në fjalimin e saj në këtë ngjarje, ministrja Janevska theksoi se aktualisht në komunat në mbarë Maqedoninë po realizohen rreth 70 projekte infrastrukturore në fushën e arsimit, me vlerë të përgjithshme prej 90 milionë eurosh. Një pjesë e projekteve financohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ndërsa pjesa tjetër nga Qeveria, e cila siguroi mbështetje për projektet kapitale të vetëqeverisjeve lokale.
“Një nga këto projekte është edhe kjo sallë sportive multifunksionale. Është mjaft e madhe, me sipërfaqe prej 1.400 metrash katrorë dhe me tribunë me 400 ulëse. I përgëzoj drejtuesit e komunës, nxënësit, mësimdhënësit dhe banorët e kësaj lagjeje, sepse pas rreth një viti do të kenë një objekt sportiv bashkëkohor, i cili, përveçse për nevojat e shkollës, do të mund të përdoret edhe për qëllime komerciale – për ndeshje zyrtare, stërvitje, manifestime sportive dhe kulturore e të tjera”, tha Janevska.
Ajo informoi se, përmes Ministrisë, aktualisht në Komunën e Karposhit po zgjerohen kapacitetet e SHFK-së „Dimo Haxhi Dimov“ me ndërtimin e 6 klasave të reja, ndërsa së shpejti do të fillojë edhe ndërtimi i 4 klasave të reja në SHFK-në „Petar Pop Arsov“, me qëllim mundësimin e zhvillimit të mësimit në një ndërrim.
„Infrastruktura, së bashku me tekstet shkollore, programet mësimore dhe kuadrin e motivuar mësimor, janë parakushte themelore për një arsim cilësor“, shtoi ministrja.
