Selami: Veprimi i opozitës nuk matet vetëm me deklarata, por me propozime dhe kërkesa konkrete në interes të qytetarëve

Selami: Veprimi i opozitës nuk matet vetëm me deklarata, por me propozime dhe kërkesa konkrete në interes të qytetarëve

Këshilltarët në kuadër të koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) në Qytetin e Shkupit, çdo ditë dëshmojnë se veprimi opozitar nuk bëhet dhe nuk matet vetëm me deklarata, por me propozime, kërkesa konkrete në interes të qytetarëve, presion institucional, punë të vazhdueshme dhe rezultate konkrete.

Sot, ju prezantojmë vetëm një pjesë të rezultateve të arritura falë punës, angazhimit dhe përkushtimit tonë.

Si këshilltarë opozitarë kërkuam korrigjimin e tabelës në hyrjen lindore të Shkupit, ku mungonte gjuha shqipe. Kryetari i Qytetit e pranoi publikisht këtë lëshim dhe u zotua se tabela do të korrigjohet.

Kërkuam zgjidhje për vendkalimin e këmbësorëve te Bit Pazari. Pas analizave dhe konsultimeve të bëra, ai do të legalizohet dhe do të pajiset me sinjalizim përkatës dhe semafor të përshtatshëm.

Një nga betejat tona kryesore ishte Bulevardi “Hasan Prishtina”. Kërkuam dhe insistuam që mjetet prej 8 milionë eurosh të mbeten të destinuara për këtë projekt dhe të mos ridestinohen.

I bëjmë apel kryetarit të Qytetit të Shkupit që sa më shpejt të fillojë ndërtimi i Bulevardit “Hasan Prishtina”, në interes të qytetarëve.

Paraqitëm shtatë amendamente për Çairin, Sarajin, Nerezën e Epërme, pacientët onkologjikë, personat me aftësi të kufizuara dhe shkollat e dëmtuara nga stuhia.

Gjithashtu, paraqitëm amendament për parkingun montazh në “Çairçana”.

Këto amendamente u votuan nga këshilltarët e AKI-së dhe nga këshilltarë të caktuar të partive të tjera politike.

VLEN nuk votoi. Nuk pati votë për projekte në interes të qytetarëve shqiptarë!

Kur bëhet fjalë për deklarata, VLEN është gjithmonë i pranishëm. Kur nevojitet një votë konkrete për Çairin dhe komunat e tjera përreth, VLEN, si gjithmonë, mungon. Hesht. Nuk voton.

Falë punës sonë u arrit:

•⁠ ⁠Hapja e bibliotekave në kuadër të shkollave të mesme në Saraj dhe Çair.

•⁠ ⁠Projektimi i vazhdimit të rrjetit të ujësjellësit në Nerezën e Epërme.

Nga ana tjetër, është e pranishme edhe një gjendje me të cilën duhet të njihet çdo shqiptar në Shkup:

Nga gjithsej 139 anëtarë të bordeve drejtuese dhe mbikëqyrëse të ndërmarrjeve publike dhe institucioneve të Qytetit të Shkupit, vetëm 23 janë shqiptarë, përkatësisht vetëm rreth 15%.

Në disa borde madje nuk ka asnjë shqiptar. Zero.

Kjo nuk është përfaqësim i drejtë dhe adekuat. Do të kërkojmë korrigjim urgjent të kësaj gjendjeje.

Njëkohësisht, do ta mbështesim çdo projekt të mirë, siç janë rrethrrotullimi dhe ura në Saraj me lidhje drejt autostradës.

Ne, si këshilltarë të AKI-së, do të vazhdojmë të kërkojmë atë që u takon qytetarëve – me punë, me propozime dhe me votë.

Gjithmonë do të jemi pranë qytetarëve, duke dëgjuar zërin e tyre, duke mbrojtur interesat e tyre dhe duke punuar për zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme. / Aktuale.mk

GIF
LAJME TË NGJAJSHME

TË FUNDIT

GIF