Në rajonin e Tetovës sot filloi realizimi i dy projekteve infrastrukturore, të cilat janë të rëndësishme për trafikun rrugor të përditshëm në këtë rajon. Bëhet fjalë për rikonstruktimin e rrugës rajonale në fshatin Jazhincë deri te rruga rajonale Tetovë – Jazhincë dhe për ndërtimin e trotuareve të një pjese të rrugës komunale Tetovë – Trebosh në Komunën e Zhelinës.
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Goran Milevski, i cili sot ishte për vizitë në këtë rajon, deklaroi se rikonstruktimi i rrugës në fshatin Jazhincë është me rëndësi të madhe për banorët e fshatit.
“Me këtë, Ministria e realizon programin për sivjet. Para dhjetë ditëve ishin në fazën e parë të asfaltimit të rrugës deri te deponia “Rusiino”, ndërsa sot filluam një projekt të ri të financuar nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale përmes Byrosë për Zhvillim të Barabartë Rajonal, në realizimin e Rajonit planor të Pollogut”, tha Milevski.
Rikonstruktimi do të përfshijë 370 metra gjatësi dhe 3,5 metra gjerësi dhe do të kushtojë katër milionë denarë.
“Prej vitit 2000 nuk është bërë asgjë për këtë rrugë, por vepruam që të ketë realizim, që do të thotë shumë për banorët e Jazhincës dhe për fëmijët të cilët shkojnë në këtë shkollë”, thotë kryetari i Jegunocit, Darko Bllazhevski.
Sipas ministrit Milevski, në dispozicion për tetë rajonet planore ka shtatë milionë euro prej të cilave pesë milionë investohen në të gjitha rajonet, ndërsa dy milionë janë dedikuar për fshatrat me zona specifike.