Këto dy pesa të shkruara në këto duar të vogla tregojnë se Maisa dhe Batini kaluan me sukses bisedën me psikologun dhe tashmë janë pranuar në klasë të parë. Dëshira për të nisur një rrugëtim të ri të dijes ka bërë që këto dy fëmijë paraprakisht të mësojnë numrat deri në 100, disa nga shkronjat e alfabetit të gjuhës shqipe dhe shumë vjersha të shkurtëra.
“Unë shumë dua të vij në shkollë se kam shoqe edhe shok. A di me numëru? Po. Deri në sa? Deri në 100. Numëro deri në 10….1,2,3,4,5,6,7,8,9,10…”, tha një fëmijë.
“Maisa, a di ndonji shkronjë? Po. Cilat? A- akullore, B-breshka, C-cjapi, F-flutura. A di ndonjë vjkershë? Po”, tha një tjetër fëmijë.
Mësuesja Florie Qorolli, tashmë disa dekada përvojë në arsim vlerëson se fëmijët në klasë të parë nuk duhet të vijnë me lexim dhe shkrim paraprakisht të mësuar. Kjo, sipas mësueses Qorolli, do të shkaktoj monotoni dhe humbje të dëshirës për të mësuar pjesën tjetër të planprogramit mësimor për klasën e parë.
“Sa I përket leximit nuk duhet ta bëjnë fëmijët para se të fillojnë në klasë të parë sepse pastaj do të jetë një monotoni e mësimit në shkollë. Mirëpo, fëmijët duhet të përgatiten në tjetër aspekt, të dijnë të mbajnë lapsin, të dijnë pjesët elementare të shkronjave të cilat do ti mësojnë paraprakisht nga çerdhet. Të dijnë të shkruajnë emrin e vet sëpaku. Për orientimin e vijave, të mbajturit drejtimin e shkrimit jemi ne këtu por të dijnë të mbajnë lapsin, mos të dalin nga vijat, këtë shumë lehtë e mësojnë në çerdhe”, u shpreh Florie Qorolli, mësuese.
Regjistrimi i nxënësve në klasë të parë për vitin shkollor2025/26 realizohet deri në përmbyllje të muajit Maj. Në klasë të parë mund të regjistrohen të gjithë fëmijët të cilët deri më 31 dhjetor 2025 mbushin 6 vjet. Dokumentet e nevojshme për regjistrimin janë: çertifikata e lindjes e kopjuar, vërtetim për vaksinat e pranuara, vërtetim nga stomatologu, vërtetim nga oftalmologu, letërnjoftimi i prindit ose kujdestarit ndërsa për klasat në mësim të tërëditor të dy prindërit duhet të dorëzojnë vërtetim nga puna. Për fëmijët me nevoja të veçanta nevojitet edhe mendim nga komisioni për vlerësimin e fëmijëve dhe të rinjëve për mbështetje shtesë arsimore, sociale dhe shëndetësore sipas Klasifikimit Ndërkombëtar të Funksionimit./Alsat.mk