Filloi rigjykimi për spitalin modular në Tetovë, të akuzuarit theksuan se nuk ndjejnë faj

Filloi debati kryesor për rigjykimin për spitalin modular në Tetovë i cili deri më tani ishte shtyrë katër herë. Drejtorët e atëhershëm Florin Besimi dhe Artan Etemi të cilët akuzohen për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, u deklaruan se nuk ndjehen fajtorë. Gjithashtu edhe përfaqësuesi i personit juridik ISHP Spitali Klinik për veprën “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” theksoi se nuk ndjejnë përgjegjësi. Pas deklarimit gjykatësi i ri udhëheqës Rexhep Musa caktoi pauzë gjysmë ore.

Gjykata e Apelit në Gostivar në prill të vitit 2024 mori vendim që përsëri të ketë gjykim për dy ish drejtorët dhe Spitalin Klinik si subjekt juridik. Procesi duhej të fillonte më 26 qershor të vitit 2024, por u shty për 25 shtator 2024, pastaj për 5 nëntor 2024 dhe për 15 janar 2025.

Më 5 qershor të vitit 2023 Gjykata Themelore Tetovë caktoi dënim me kusht për drejtorët e akuzuar Florin Besimi dhe Artan Etemi për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, përderisa personi juridik ISHP Spitali Klinik ishte shpallur fajtor për veprën “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” në procesin gjyqësor pas zjarrit në spitalin modular në Tetovë të vitit 2021 kur jetët i humbën 14 persona. Gjykata atëherë vendosi të ketë aktvendim lirues për mjekun Boban Vuçevski dhe Spitalin Klinik për veprën “mosveprim sipas rregullave shëndetësore”.

Sipas gjykimit, të akuzuarve Florin Besimi dhe Artan Emini u ishte caktuar masa burg nga një vit e gjysmë, dënim me kusht dhe dënimi i caktuar me burg nuk do të kryhet nëse të akuzuarit secili për vete në kohë prej tre vjetëve nuk kryejnë vepër të re penale. Një person juridik duhej të paguante dënim në të holla në vlerë prej një milion denarë, 30 ditë pas hyrjes në fuqi të vendimit.

Edhe gjykimi i parë filloi më 7 dhjetor të vitit 2022, pasi deri atëherë kishte katër shtyrje.

Për zjarrin në spitalin modular të Tetovës i cili ndodhi më 8 shtator të vitit 2021 në të cilin 14 njerëz i humbën jetët, më 27 korrik të vitit 2022 Prokuroria ngriti akuzë në Gjykatën Themelore Tetovë, pasi dhjetë muaj u zhvillua procedurë hetuese.

Marketing