Fillojnë me punë qendrat tregtare! Rrobat e blera do të provohen në shtëpi jo në butik

Pas pothuajse dy muajve, qendrat tregtare i hapën dyert për vizituesit. Nuk kishte kaos si zakonisht. Edhe ata pak blerës u pritën me rekomandime për mbrojtje dhe aparate për dezinfektimin e duarve,

Marketing

Një pjesë e shitësve i pastronin dhe rregullonin dyqanet, ndërsa disa prej tyre i pritën klientët e parë.

Shitëse: “Po rregullojmë, po e vendosim mallin e ri dhe po bëhemi gati për blerësit tanë. Shpresojmë se do të kemi blerës dhe do të kemi shitje”.

Numri i qytetarëve është i kufizuar, duhet të respektohet mbajtja e distancës, ndërsa është e obligueshme mbajtja e maskave mbrojtëse. Dukshëm është rritur dezinfektimi i hapësirës.

Qytetarët me të cilët biseduam vlerësojnë se vendimi për hapjen e qendrave tregtare është i hershëm.

Qytetare: Mendoj se nuk është mirë. Ende vlejnë masat e jashtëzakonshme. Nuk kam frikë për të blerë në objektet e hapura, por në të mbyllur po.

Qytetare: Është i hershëm vendimi dhe mendoj se duhej të pritet së paku edhe një muaj për shkak se kemi shumë të infektuar çdo ditë.

Xheladin Xhuli, drejtor i një qendre tregtare të mbyllur, thotë se në këto dy muaj kanë punuar në adaptimin me kushteve të reja dhe realitetin e ri. Ndalesa për provimin e veshjeve në gardërobë është pjesë e protokollit për hapjen e qendrave tregtare.

“Kemi bërë pastrim të detajuar të qendrës tregtare, dezinfektim, i ndryshuam filtrat e sistemit të ventilimit, i pastruam të gjithë kanalet. Në këtë fazë të dytë nuk duhet të përdoren gardërobat. Sigurisht do të provohen në shtëpi dhe të nesërmen mund të kthehen nëse nuk u përshtaten”, tha Xheladin Xhuli, pronar i një qendre tregtare të mbyllur.

Koronavirusi shumë personave ua ka ndryshuar jetën dhe veset, ndërsa tani do të ndryshohet edhe mënyra e blerjes dhe qëndrimi në qendrat tregtare të mbyllura. Në përputhje me vendimin e Qeverisë, dje filluan me punë qendrat tregtare, bastoret dhe auto shkollat.