Fillon debati në komision mbi Propozim- buxhetin për vitin 2025

Në Komisionin parlamentar për financim dhe buxhet, sot fillon debati për Propozim-buxhetin për vitin 2025. Sipas ueb faqes së Kuvendit, seanca duhet të fillojë në orën 11.

Marketing

Qeveria e miratoi Propozim- buxhetin më 29 tetor dhe në të është projektuar rritje ekonomike në nivelin 3.7 për qind, deficiti buxhetor në 4 për qind të BPV-së dhe inflacioni 2.2 për qind.

Të ardhurat e përgjithshme në Buxhet për vitin 2025 janë planifikuar në 358 miliardë denarë që është për 13 për qind më shumë nga buxheti për vitin 2024, ndërsa shpenzimet e përgjithshme janë projektuar në nivel të 400 miliardë denarëve që është rritje për 10 për qind në krahasim me buxhetin për vitin 2024. Rritja ekonomike është planifikuar në nivel prej 3,7 për qind, deficiti buxhetor në katër për qind, inflacioni 2,2 për qind.

Buxheti për vitin 2025 përmban masa për konsolidim fiskal dhe shpenzime të disiplinuara tatimore dhe masa e politika për nxitjen e rritjes ekonomike.

“Me një fjalë krijuam një buxhet që duhet të sjellë zhvillim real të vendit. Shpenzimet kapitale janë në nivel prej 50,65 miliardë denarë, që paraqet rritje prej 13 për qind ose 6 miliardë denarë në raport me ribalancin e Buxhetit për këtë vit. Kjo është pikërisht ajo mbi të cilën ne e bazojmë zhvillimin tonë. Gjithashtu, shuma e shpenzimeve kapitale është më e lartë se shuma nominale e deficitit. Ajo që është më e rëndësishme është që ne të krijojmë zgjidhje për të arritur realizimin real të shpenzimeve kapitale dhe për të ndryshuar situatën e së kaluarës. Këtu do të jetë fokusi ynë dhe për këtë kemi ndryshuar edhe politikën. Politika thotë të mbështesim projekte dhe projekte cilësore që mund të realizohen në një kohë të shpejtë dhe të japin kontribut në rritjen ekonomike”, deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska në konferencën për media të organizuar pas miratimit të Propozimit të Buxhetit nga Qeveria.

Opozita ka paralajmëruar se nuk do ta mbështesë Propozim- buxhetin e propozuar sepse sipas tyre është joreal dhe jozhvillimor. Deputetët e LSDM-së kanë dorëzuar mbi 200 amendamente.

“Ky Buxhet, siç është propozuar, është hartuar t’i përmbushë nevojat e pushtetit dhe jo të qytetarëve. Qeveria parasheh rritje të BPV-së prej 3,7 për qind për vitin 2025, të cilin nuk do të mund ta realizojë, ndërsa konfirmim për atë janë projeksionet e Bankës popullore, e cila e caktoi në 3,3 për qind dhe dukshëm vlerësimi më real i Bankës botërore 2,5 për qind. Projeksioni qeveritar për rritje të lartë të BPV-së është vendosur në bazë joreale dhe ka për qëllim të arsyetojë deficit më të madh buxhetor. Qasja e këtillë do të thotë edhe rritje e borxhit publik pas sjellë kurrfarë zhvillimi. Me fjalë të tjera do të shpenzojmë më shumë nga ajo që fitojmë, ndërsa borxhin do të duhet ta kthejmë në të ardhmen me siguri me tatime shumë më të larta apo me shkurtim të parave për shërbime të tjera më të mira publike. Të gjitha këto të dhëna tregojnë se Qeveria është e gatshme t’i detyrojë qytetarët deri në tre brreza të ardhshëm, pa krijuar zhvillim”, deklaroi dje lideri i LSDM-së, Venko Filipçe.

Lidhur me amendamentet, Filipçe theksoi se për të gjitha ka arsyetim solid dhe siç tha, ato janë parashtruar pas analizave serioze të sektorëve nga ekspertë të cilët punojnë me vite në ata sektorë.

Me amendamentet e parashtruara LSDM opozitare propozon ndarje të 3.500.000.000 denarë nga Buxheti për vitin e ardhshëm për rritje të rrogave në sektorin publik. Me amendament i cili i referohet arsimit, LSDM propozon ndarje të 996.406.000 denarëve për rritje të rrogave për mësimdhënësit nga arsimi fillor dhe i mesëm. Në polici, me amendament LSDM propozon rritje të rrogave prej 20 për qind, përderisa, për rrogat e zjarrfikësve të ndahen 1.000.000.000 denarë në Buxhetin për vitin 2025.

Edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) vlerësojnë se Propozim- buxheti është jozhvillimor, ka rritje të shpenzimeve buxhetore, ndërsa borxhi publik do të rritet edhe më shumë.

“Buxheti i viti 2025 nuk i respekton rregullat fiskale të definuara me ligj. Në propozim buxhetin e vitit 2025 ka të ardhura dhe shpenzime më të larta se ai vitit 2024, në strukturën e buxhetit shpenzimet kapitale janë më ulëta 12.6% krahasuar me 13.1 % të vitit të kaluar. Ka deficit më të lartë në krahasim me buxhetin fillestar të vitit 2024 të rebalancit nga qeveria pa legjitimitet”, ka thënë Ahmeti.

Sipas Rregullores së re, diskutimi në komision mund të zgjasë deri më 30 nëntor, pas së cilës Propozim- buxheti duhet të miratohet në seancë plenare. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në intervistën për MIA-n, tha se në gjysmën e dytë të dhjetorit pritet që Propozim- buxheti të gjendet në seancë plenare.

“Sipas Rregullores së re, tashmë është përcaktuar fundi i nëntorit, gjegjësisht 30 nëntori si data e fundit kur duhet të përfundojë debati i komisionit. Pastaj propozimi dërgohet në Qeveri, presim që Qeveria ta plotësojë propozimin dhe në javën e dytë të dhjetorit të mbahet seanca plenare, e cila zgjat pesë ditë dhe shpresojmë që brenda këtyre katër-pesë ditëve të miratohet buxheti për vitin 2025”, deklaroi Gashi në intervistë për MIA-n.