Fillon Muaji i Ramazanit, qytetarët: Çmimet e larta diktojnë sofrën e iftarit

1 Marsi besimtarët myslimanë i gjen në muajin e shenjtë të Ramazanit, ditë agjërimi që shoqërohet me përkushtim më të madh fetar. Madhështia qëndron në sofrën e iftarit, kur mbrëmja i bashkon anëtarët familjarë për ta mbyllur ditën e agjërimit. Rëndom iftari shoqërohet me gatesa të ndryshme, por këtë vit ankesat e qytetarëve flasin për mospërballje të çmimeve dhe pamundësinë për darka të shumëllojshme. Sidomos pemët dhe perimet mbeten ndoshta vetëm për t’i shikuar në treg. Dyshojnë edhe në manipulimet e çmimeve me rastin e Ramazanit, ndërkaq faj për ta ka edhe Qeveria, sepse nuk ushtron kontroll sa duhet.

“Shtrenjtësi e madhe, po do ta përballojmë. Mund të rregullohet kur të na rriten pensionet.”, – tha një qytetar.

“Për mua të përshtatshme, por jo për të gjithë. Shtrenjtë. Njerëzit i kanë mundësitë më të vogla, nuk e di për të tjerët. Shumica nuk kanë buxhet të mjaftueshëm.”, – tha një qytetar tjetër.

“Besoj pak i kanë rritur këtë muaj se ku ta di, ndoshta e shohin profitin dhe çmimet i çojnë më lartë.”, – u shpreh një qytetar.

“Çmimet janë të larta. Ata i kanë rritur para se të vijë Ramazani. Në kontroll duhet t’i mbajë Qeveria, të japë ligje më të mira. Duhet të ketë ligje, që kontrolli të jetë më i ashpër, më i drejtë për të gjitha marketet, edhe për të voglat.”, – u shpreh një qytetar tjetër.

Shitësit: Importi detyron rritjen e çmimeve

Ndërkohë shitësit mirëkuptojnë blerësit dhe janë të vetëdijshëm për rritjen e çmimeve, por sipas tyre, çmimin e dikton qarku ekonomik, doganat e larta dhe importi, të cilat përfundimisht faturohen në çmimin e produkteve.

“Malli vjen prej eksportit, çmimet prej andej reagojnë në tregun me shumicë. Shtrenjtë është edhe atje ku e marrim ne, çmimet varen nga eksporti, nuk është që e prodhojmë ne këtë mall. Mund të jetë pak i shtrenjtë, e blejmë shtrenjtë dhe e japim shtrenjtë.”, – tha një shitës.

“Qëndrojmë pas vlerësimit të qytetarëve për arsye se këto domate vijnë prej jashtë, prej Turqisë, çmimet janë të larta, kurse pagat e ulëta. Mund të rregullohet, pak me doganat, pak të rriten pagat, por jo me paga 400-500 euro.”, – tha një shitës tjetër.

Çdo vit për muajin e Ramazanit, miliona myslimanë në të gjithë botën agjërojnë për 30 ditë nga mëngjesi në mbrëmje. Muaji pos tjerash zgjon dashurinë për bamirësi, kujdes ndaj të varfërve dhe përpjekje për pastrim shpirtëror.

Marketing