Me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 15 korrikut ka përfunduar edhe mandati i ministrave teknikë nga opozita. Kështu ministri teknik i Brendshëm, Naqe Çulev ka dhënë sot dorëheqjen nga posti që e mbajti për disa muaj gjatë qeverisë teknike dhe i ka dorëzuar postin zëvendësit të tij, Agim Nuhiut.
Nuhiu do të drejtojë Ministrinë e Brendshme deri në zgjedhjen e përbërjes së re qeveritare, pra deri në zgjedhjen e një ministri të ri të Brendshëm.
Mandati i Çulevit si ministër teknik, në përputhje me marrëveshjen e Përzhinos, përfundoi sot me shpalljen e rezultateve zyrtare përfundimtare të zgjedhjeve të 15 korrikut. Përveç tij, edhe mandati i zëvendësministres shtesë, Slavjanka Petrovska ka përfunduar.