Fillon udhëtimi pa viza midis Turqisë dhe Rusisë

Udhëtimi pa viza midis Turqisë dhe Rusisë nga dita e sotme ka hyrë në fuqi, transmeton AA.

Marketing

Ministria turke e Punëve të Jashtme bëri të ditur se masa është e vlefshme në bazë reciproke për mbajtësit e pasaportave zyrtare dhe të shërbimit, si dhe për drejtuesit e transportit ndërkombëtar. Ajo po ashtu përfshin mbajtësit e pasaportave turke të veçanta.

“Marrëveshja për heqjen e vizave e nënshkruar më 12 maj të vitit 2010 hyri në fuqi pjesërisht më 7 gusht të vitit 2019. Presim zbatimin e plotë të marrëveshjes”, tha në njoftim ministria e jashtme turke.

Rusia pezulloi regjimin pa viza në fund të vitit 2015, mes tensioneve për rrëzimin e një avioni rus përgjatë kufirit turko-sirian.

Këtë korrik, presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi Ministrinë e Punëve të Jashtme të dërgojë një njoftim zyrtar për zyrtarët turq në lidhje me këtë masë të udhëtimit pa viza.