Fillon zyrtarisht fushata zgjedhore në Kosovë

Në mesnatë ka filluar zyrtarisht fushata zgjedhore në Kosovë, shkruan Gazeta Metro.

Marketing

Ndryshe nga herët e tjera, edhe për shkak të pandemisë, nuk ka pasur organizime të veçanta nga partitë politike për nisjen solemne të fushatës.

Kjo fushatë, meqë janë zgjedhje të jashtëzakonshme, do të zgjasë nga data 16 shtator deri me 15 tetor.

Ndërsa votues, sipas të dhënave zyrtare të KQZ’së janë 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.

Numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë, është: 41 mijë e 12 votues, prej të cilëve 24 mijë e 697 kanë arritur moshën 18 vjeç pas datës 14 shkurt 2021 dhe 8 mijë e 937 votues të cilët mund të konsiderohet se janë regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. Po ashtu, si votues të rinj, konsiderohen edhe 7 mijë e 378 votuesit të cilët janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe që ishin larguar nga lista votuese sepse kanë pasur vetëm dokumente identifikimi të lëshuara nga UNMIK-u.

Numri i emrave të personave që janë larguar si të vdekur nga lista votuese pas zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të datës 14 shkurt 2021, është: 18 mijë e 252 votues, ndëërsa numri i personave që janë larguar nga kjo listë për arsye se kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës, pas atyre zgjedhjeve, është 1 mijë e 158 votues.

Numri i qendrave të votimit në të gjithë Republikën e Kosovës është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime.

Ndërkaq, numri i qytetarëve me të drejtë vote jashtë vendit, të cilët kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës është: 15 mijë e 532 votues.

Periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës ka filluar më 10 korrik dhe është përmbyllur më 18 gusht 2021. Gjatë kësaj kohe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 18 mijë e 852 aplikacione për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 15 mijë e 532 ndërsa janë refuzuar 3 mijë e 320 aplikacione pasi nuk kanë plotësuar kriteret juridike.