Filmi Nomadland, ftues i Oscar 2021 me regjisore Chloe Zhao dhe aktoren kryesore Frances McDormand.
Shkruan: Ballsor Hoxha
Filmi Nodmadland, është film i cili zbulon dhe në këtë vëzhgon një komunitet në lindje. Një mënyrë jete të të shkëputurve. Një jetesë e cila rikrijon ligjet dhe normat e saj në një univers të tyre personal dhe të pacenueshëm nga normat e shoqërisë sonë.
NË të vërtetë filmi bën fjalë për Nomadët e Rinj në botë, të cilët të shkëputur, dhe që shkëputen nga jeta, fillojnë dhe jetojnë një jetë të tërë jashtë dhe të ikur nga jeta e zakonshmërisë, atashimeve, dhe vazhdimësisë së qeniesimit.
Filmi Nomadland është film mbi një pjesë të shoqërisë amerikane (por edhe ndërkombëtare). Shoqëri që shkëputen, braktisin dhe ikin nga jeta e zakonshme, për të jetuar në komunitete në natyrën e egër dhe në furgonat e tyre. Janë shoqëri që jeton diku mes jetë së të pastrehëve dhe të të arratisurve.
Personazhja kryesore e filmit, Fern, e quajtur shkurt dhe thjeshtë, ka humbur burrin e saj. Në vazhdim është zhdukur adimistrativisht qyteti ku ka jetuar, fjalë për fjalë qyteza ku ka jetuar është fshirë nga ekzistenca administrative, duke qenë e braktisur, në prag të ekzistencës dhe e pa banorë.
Por gjatë filmit mësojmë se është pikërisht kjo qytezë e cila e ka tërhequr atë, Fernin dhe bashkëshortin e saj të ndjerë që të jetojnë në këtë qytezë.
“Prapa shtëpisë sime është në hapësirë e pafund, që nuk çon askund!” i tregon Fern një personazhi tjetër.
Fern nisë jetën e saj si nomade, dhe për më shumë tërë filmi është rrugë, të braktisura, të largëta, të vetmuara, të pa populluara, të pa trafik.
Ajo i bashkëngjitet këtyre komuniteteve të nomadëve. Komunitete që jetojnë jashtë normave të mirëqenies amerikane. Komunitete që jetojnë në natyrën e egër dhe në lokacione të lëna pas dore. Punojnë në punët më të painteres në tërë Amerikën gjigante.
I tërë ky rrëfim, kjo hapësirë brenda Amerikës, e huaj për njeriun bashkëkohor, e braktisur nga jeta, dhe e lirë si në ujëvarat, pyjet , shkretëtirat dhe natyrën e egër të saj, është rrëfim që e bartë karakteri Fern. Një grua e cila sapo ka humbur burrin, ka braktisur vendbanimin e saj për liri të pakufishme, të pa atashime, të pa obligime, dhe sikur nomade origjinare e shkretëtirave të Saharës e të Afrikës, është vazhdimisht në lëvizje, në dyndje dhe në lëvizje.
Por, pikërisht kjo jetë, kjo lëvizje nomade, krijon edhe fascinimin dhe provokimin kinematografik. Si mund të merret një jetë e tillë:
-Papërgjegjësi – ndaj të afërmve duke qenë se Fern, i braktisë të gjithë. Në të vërtetë në një nga dialogjet e Fern me motrën e saj, ajo dëgjon motrën e saj më të vogël duke i treguar se Fern ka qenë për atë modeli i sjelljes dhe projektimi i arritjes së saj. Se me braktisjen e saj Fern ka lënë në motrën e saj një mungesë të thellë.
Apo kjo lëvizje, kjo lëvizje nomade, në fascinimin dhe provokimin që na krijon, është në të vërtetë – ikje -. Braktisje nga ankthi ekzistencial. Në të vërtetë të gjithë nomadët, në grupet dhe në socializimet e tyre gjithnjë tregojnë për persona të dashur të afërm të cilët u kanë vdekur.
Apo, po i njëjti fascinim dhe provokim i krijuar në ne në shprehjen kinematografike është në të vërtetë natyra primare, instinktive dhe primordiale për njeriun që të jetojë i lirë.
Në të vërtetë, duke u nisur nga e fundit, liria, si primodriale brenda njeriut, shtytja dhe fiksimi për të qenë i lirë, është edhe mallkim e edhe përmbushje e këtij komuniteti. Liria si mallkim për të gjetur një hapësirë për veten, për të gjetur një shoqëri, për të gjetur një paqe me veten më shumë se me të tjerët.
Por kjo përmbushje është e ndërthurur me dhembjen ndaj dhe të të afërmve. Është e dhembshme në braktisjen e pa shpjegim, në pamundësinë e mishërimit të bashkëjetesës, në vetminë që i përcjellë këta persona në gjithë jetët e tyre.
Por mbi të gjitha është kriza ekzistenciale e këtyre personave. Mospajtimi me jetën, pajtimi me ikjen. Pamundësia për të gjetur lidhjen dhe atashimin me të tjerët. Pamundësia për të krijuar një vazhdimësi dhe një konsistencë të jetës.
Në të vërtetë prej personazhit që shërben si guru për komunitetin e tyre, i cili tregon për vdekjen e djalit të tij, e deri tek Fern e cila e humb personin e vetëm të afërm të saj – bashkëshortin e saj, të gjithë këta kanë humbur personin më të dashur në jetët e tyre.
Fenomeni që krijon humbja e personit më të dashur te disa persona, është një tronditje e pakalueshme në personat e mbetur dhe me këtë, në njërën anë i shkëputë ata nga lidhja dhe atashimi, dhe në anën tjetër ua mbinë ankthin e ekzistencës dhe të të atashuarit. Frikën e vdekjes, e cila bëhet e pakalueshme dhe motiv e nxitje për të braktisur çfarëdo lidhje me jetën shoqërore dhe me jetën sociale.
Ankthi ekzistencial në të vërtet është fenomen i cili përhapet edhe në kohëra të krizave shoqërore dhe edhe të kalimeve epokale. Njeriu e gjen veten të pandihmë dhe të pashpjegim ndaj vegjëlisë së tij dhe ndaj pandihmëshmërisë së tij. Aq më shumë vdekja, bëhet e patejkalueshme dhe dhembje e frikshme, e cila shkëputë tërë sistemin social dhe vullnetin e njeriut që ka qenë në afërsi të vdekjes.
Dhe të dyja së bashku, jeta e vëzhguar në filmin Nomadland të regjisores Chloe Zhao, të nomadëve të rinj, sidomos në vendet e zhvilluara, dhe në anën tjetër fenomeni i ndërrimti dhe kalimit të epokave që ka krijuar dhe ka krisur ankthin ekzistencial, janë filmi i momentit i cili përmes këtyre dyjave krijon një udhë të përvijimi të këtij ankthi ekzistencial global, dhe në këtë e provokon në ne pyetjen: ç’është liria?
BURIMI: www.arsalbanica.mk