Një person ka humbur jetën dhe 10 të tjerë janë plagosur në një sulm të dhunshëm në një shkollë në qytetin Finlandez Kuopio.Një dëshmitar tha për mediat finlandeze se një nxënës kishte hyrë në shkollë, me një shpatë në dorë, dhe kishte qëlluar disa persona.
Policia tha se i dyshuari mbante një armë të ftohtë dhe një armë zjarri dhe se agjentët kishin përdorur armë kur kishin mbërritur në shkollë. I dyshuari, që sipas policisë është finlandez, është mes të plagosurve në sulm.
Dy të lënduar sipas mjekëve janë në gjendje serioze ndërkohë që policia e ka konfirmuar tani praninë e një trupi të pajetë në vendngjarje. Shkolla ka rreth 600 nxënës dhe 40 pjesëtarë stafi, por zyrtarët thanë se është e paqartë se sa njerëz kishte në vendngjarje në momentin e sulmit.
Sipas dëshmive, autori kishte hyrë në një klasë pak pas mesdite dhe kishte nxjerrë nga çanta një shpatë me të cilën kishte sulmuar mësuesen. Ndërsa ajo përpiqej të largohej, nxënësit e tjerë e kishin qëlluar agresorin me karrige, në përpjekje për të shpëtuar dhe disa prej tyre ishin plagosur.
Kryeministrja finlandeze, tha se dhuna në shkollë ishte shokuese dhe e papranueshme, ndërsa ministri i arsimit tha se çdo i ri kishte të drejtën të arsimohej pa frikën e dhunës. Finlanda konsiderohet një vend relativisht i sigurt, me një total prej 73 vrasjesh në 2017, por ka një popullatë që zotëron masivisht armë.
Në 2008, një 22 vjeçar, vrau 10 persona në një shkollë fetare para se të qëllonte veten.