Fitimet e 10 personave në botë “mund të blejnë vaksina për të gjithë”

Pasuria e kombinuar e dhjetë personave në botë është rritur për 540 miliardë dollarë gjatë pandemisë së koronavirusit, tha organizata globale kundër varfërisë Oxfam.

Marketing

Sipas saj, kjo shumë do të ishte e mjaftueshme për të paguar vaksina kundër koronavirusit për të gjithë njerëzit në botë.

Raporti po ashtu zbuloi se pasuria totale e miliarderëve është e barabartë me shpenzimet e të 20 vendeve më të industrializuara në botë për rikuperim nga virusi.

Organizata u bën thirrje qeverive që t’i shqyrtojnë taksat për të pasurit, duke shtuar se “pandemia e koronavirusit ka potencial të çojë në rritje të pabarazisë në pothuajse çdo vend”.

“Virusi i ka ekspozuar, ushqyer dhe rritur pabarazitë ekzistuese të pasurisë, gjinisë dhe racës”, thuhet në raport.

Në mesin e të pasurve që përmend Oxfam janë: Jeff Bezos i Amazonit, Mark Zuckerberg i Facebookut dhe Elon Musk i Teslës.

Pasuria e tyre, sipas organizatës, po ashtu do të parandalonte varfërimin e njerëzve si pasojë e pandemisë.

Raporti thotë se Bezos ka fituar aq shumë deri në shtator të vitit 2020, saqë ai do të mund t’iu jepte të 876,000 punëtorëve të Amazonit nga një bonus prej 105,000 dollarësh dhe ai të mbetej i pasur aq sa ishte para pandemisë.

Raporti u publikua në kohën kur udhëheqësit globalë po mblidhen virtualisht për takimin e Forumit Ekonomik Botëror “Dialogu i Davosit”.

Marketing