Fitore e thellë e Bayern, Liverpool përmbys Milan në Champions League, Reali OK ndaj Stuttgart

Liga e Kampionëve ka mbyllur ndeshjet e mbrëmjes së parë të javës së parë, ku debuton formati i ri pa grupe. Në katër ndeshjet që u zhvilluan në orën 21:00 u shënuan në total 21 gola.

Marketing

“Klasikja” europiane mes Milanit dhe Liverpoolit e zhviluuar në “San Siro” i shkoi “Reds”-ave. Sfida nisi mjaft mirë për të besuarit e Fonsecës, të cilët kaluan në avantazh që në minutën e 3’ falë Pulisic, por Konate dhe Van Dijk e përmbysën takimin që në pjesën e parë. Në pjesën e dytë ishte hungarezi Szoboszlai që siguroi tre pikët për ekipin e Arne Slot.

“Festivali” i golav erdhi nga Mynihu, aty ku Bayerni i shënoi plot 9 herë Dinamo Zagreb, nga të cilat 4 ishin vetëm të Harry Kane. Miqtë shënuan dy herë brenda dy minutave, të cilat shërbyen sa për të ndezur një shkëndijë të vogël shprese. Në këtë takim, pati minuta dhe për sulmuesin e Kombëtares shqiptare, Arbër Hoxha, i cili u aktivizua nga stoli.

Kampionët e Real Madrid ia dolën mes vuajtjeve në shtëpi përballë Stuttgart, me Mbappe që shënoi golin e parë të takimit, por me baraspeshën që erdhi nga Undav. Gjithsesi, ai që vendosi takimin ishte Rudiger në minutën e 83’, falë asistimit të Luka Modric, ndërsa Endrick vulosi fitoren në fund.

Në sfidën tjetër të mbrëmjes Sporting mundi Lillën e Zhegrovës me rezultatin 2-0.