FIZHT: 123 kompani vendore në fazën përfundimtare të Thirrjes për përshtatje të shpejtë kundër KOVID-19, por përgatitet thirrje tjetër

Gjithsej 123 kompani vendore vazhdojnë në fazën e përzgjedhjes finale në kuadër të Thirrjes publike për përshtatje të shpejtë nga pasojat e KOVID-19 të Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik (FIZHT), cikli i parë. Këto kompani planifikojnë investime prej 237 milionë denarë, prej të cilave 97 milionë denarë investim i tyre, përderisa nga FIZHT kërkojnë afër 139 milionë denarë.

Marketing

Në thirrjen e cila ishte hapur prej 29.05 deri më 03.07.2020, aplikuan gjithsej 166 kompani.

Siç bëri të ditur FIZHT, nga 123 kompanitë, 74 për qind aplikojnë për herë të parë në Fond, 17 për qind për herë të dytë ose për të disatën herë pa marrë më parë ndihmë, përderisa vetëm nëntë për qind janë shfrytëzues paraprakë të mjeteve. Sipas analizave, në masë të madhe bëhet fjalë për kompani të vogla (67) dhe mikro (47) kompani, si dhe për nëntë ndërmarrje të mesme.

Pjesa më e madhe e planeve investuese janë nga sfera e Shëndetësisë, TI, tregtia por edhe kategoritë si makineri, industri kreative, hotelieri dhe industri tekstili.

Në procesin e përzgjedhjes primare të planeve investuese Fondi angazhoi persona profesionistë kompetentë nga jashtë. Vlerësimi bëhet në bazë të kritereve vijuese: progres teknologjik dhe shkalla e digjitalizimit, gjegjësisht në cilën shkallë projekti do të kontribuojë për digjitalizimin në proceset, zhvillimin e produktit të ri ose të përmirësuar, shërbim ose proces pune te aplikuesi, pastaj cilësi e projektit, kapacitet i ekipit projektues dhe ndikimi. Si risi në këtë thirrje është vendosur edhe vlerësimi shtesë për kompanitë me gra në strukturën udhëheqëse gjegjësisht pronësore dhe kompani të cilat vijnë nga rajonet më pak të zhvilluara, të cilat do të kenë edhe përparësi pranë përzgjedhjes.

Analizat tregojnë se me vendosjen e këtyre kritereve, vetëm me ciklin e parë është nxitur pjesëmarrje e kompanive të menaxhuara ose në pronësi të grave, edhe atë 46%, ndërsa është rritur edhe numri i kompanive me seli në rajonet më pak të zhvilluara. Në krahasim me thirrjet paraprake, është regjistruar rritje në rajon juglindor (11 për qind), lindor (10 për qind) dhe rajonin e Pollogut (katër për qind).

Procesi i përzgjedhjes finale vazhdon onlajn, ndërsa vendimi përfundimtar për bashkëfinancim do ta sjellë Komiteti për Miratim të Investimeve, sipas kritereve të lartpërmendura.

Në fazën e përgatitjes është cikli i ri i aplikimit për mbështetje financiare për rimëkëmbje ekonomike. Për këtë qëllim, Fondi në bashkëpunim me odat ekonomike dorëzoi pyetësor të posaçëm deri te një numër i madh i kompanive vendore. Me pyetësorin, kompanitë kanë mundësi për kontribut direkt në krijimin e kushteve për ciklin e dytë që Fondi planifikon ta realizojë menjëherë pas përfundimit të atij vijues. Pyetësori është vendosur në këtë link (https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSfDmh-RNYUTSav0j6c69lajOOWHPnYBw0Lhhem8rnRPTXuTCQ/viewform) dhe është në dispozicion për të gjitha kompanitë miro, të vogla dhe të mesme dhe të mëdha nga Maqedonia e Veriut.

Për realizimin e cikleve të dyta dhe të ardhshme të thirrjeve publike për rimëkëmbje ekonomike Fondi inicon mjete shtesë nga Qeveria, mbi tashmë 200 milionë denarë të siguruara, prej të cilave pjesa më e madhe do të shfrytëzohen që në ciklin e parë.

programi për rimëkëmbje ekonomike është pjesë e pakos së tretë të masave të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe është i dedikuar për mbështetje të kompanive mikro, të vogla dhe të mesme të cilat kanë potencial të konfirmuar për punë të suksesshme.