FIZHT me thirrje të re publike për transformimin digjital të ndërmarrjeve

Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik shpalli sot thirrjen e re publike “Me transformim digjital deri në inovacione” e cila zbatohet në bashkëpunim me Programin për rritjen e punësueshmërisë së tregut – IME të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe INOFEIT DIH.

Marketing

Thirrja i dedikohet ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga sektorët e agro-ushqimit dhe turizmit, për të mundësuar rritjen e inovacioneve dhe konkurrencën e sipërmarrjeve përmes prezantimit të zgjidhjeve digjitale që do të çojnë në transformimin digjital në veprimtarinë e tyre. Njëkohësisht, sfida synon të mundësojë përforcimin e kapaciteteve të qendrave të inovacionit digjital si pjesë e ekosistemit të nevojshëm për transformimin e mëtejshëm digjital.

“Në veçanti, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, përballen me sfida në fushën e transformimit digjital, për shkak të mundësive të kufizuara financiare, por edhe për shkak të njohurive të nevojshme për zbatimin e proceseve të reja digjitale. Besoj se procesi i digjitalizimit është një hap thelbësor dhe strategjik që duhet të ndërmarrin ndërmarrjet për t’u bërë konkurruese në treg, për të rritur efikasitetin, produktivitetin dhe qasjen në tregjet e huaja. Në këtë drejtim, së bashku me partnerët tanë IME dhe INOFEIT DIH krijuam sfidën, për t’iu përgjigjur kërkesave të ndërmarrjeve, për të përgatitur biznesin e tyre për sfida të ndryshme të paparashikuara, për të realizuar një transformim të plotë digjital dhe për t’u zhvilluar shumë më shpejt në marka të pranishme globale” tha Festim Halili, drejtor i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik.

Halili shtoi se duke mbështetur transformimin digjital përmes sfidës, ndërmarrjet mund të digjitalizojnë proceset dhe shërbimet, të cilat do të sigurojnë planifikim më të mirë, marrjen e vendimeve të biznesit bazuar në analizën e të dhënave dhe përmirësimin e operacioneve të përgjithshme, mundësojnë ose përshpejtojnë prezantimin e produkteve, shërbimeve dhe proceseve inovative, optimizojnë procesin e prodhimit dhe në këtë mënyrë të rrisin ekonominë e shkallës, zvogëlojnë shpenzimet e prodhimit dhe duke krijuar kështu një çmim më konkurrues, etj.

Buxheti i përgjithshëm i sfidës është 18.450.000 denarë, prej të cilave 12.300.000 denarë janë siguruar nga Fondi, ndërsa pjesa tjetër nga IME. Fondi siguron financim deri në 70% të buxhetit të përgjithshëm të projektit për ndërmarrje mikro ose të vogël, gjegjësisht deri në 50% të buxhetit të përgjithshëm të projektit për ndërmarrje të mesme, në shumën maksimale prej 1.845.000 denarë.

“Ndonëse pandemia dhe kriza energjetike kanë nxitur nevojën për digjitalizim, megjithatë, të përballur me sfida të mëdha, shumë prej ndërmarrjeve të agrobiznesit dhe turizmit kanë mbetur prapa për sa i përket shkallës së pjekurisë digjitale dhe përdorimit të mjeteve digjitale në veprimtarinë e tyre. Kjo thirrje përfaqëson një vazhdimësi të bashkëpunimit të suksesshëm të programit zviceran IME me Fondin për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik dhe është një mundësi e shkëlqyer për të inkurajuar ndërmarrjet nga këta sektorë të investojnë në zgjidhjet digjitale, në mënyrë që të sigurojnë optimizimin e shpenzimeve, menaxhimin dhe monitorimin digjital të proceseve, përmirësim të produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, dhe qasje më të lehtë në tregje. Për më tepër, për një transformim efektiv digjital, është thelbësore të krijohet një bashkëpunim i fortë dhe shkëmbimi i njohurive ndërmjet sektorit privat (TIK dhe sektorit jo-TIK), qendrave digjitale dhe akademisë. Në të njëjtën kohë, thirrja paraqet inicimin e aktiviteteve nga draft strategjia për specializimin smart, që mundëson lidhjen e sektorit të TIK-ut me disa nga domenet prioritare të specializimit smart”, tha Goran Damovski, Drejtor i Programit Zviceran për rritjen e punësueshmërisë së tregut – IME.

Në këtë sfidë, ndërmarrjet inkurajohen të paraqesin propozim projekte për zhvillimin, zbatimin dhe mirëmbajtjen e zgjidhjeve digjitale që, përmes transformimit digjital, do të çojnë në zhvillimin e produkteve, proceseve dhe shërbimeve inovative tek ndërmarrjet. Projektet e përzgjedhura do të prezantohen dhe do të jenë në dispozicion për të rinjtë e moshës nga 15 deri në 25 vjeç, nëpërmjet të paktën një trajnimi falas të organizuar nga përfituesi i mbështetjes financiare. Zgjidhjet digjitale mund të bazohen në inteligjencën artificiale, realitetin virtual, automatizimin, robotikën, internetin e gjërave, zgjidhjet e bazuara në ueb dhe zgjidhje të tjera.

“Bashkëpunimi me Digital Innovation Hub (DIH) është thelbësor për procesin e transformimit digjital në shoqëri. INOFEIT, si i vetmi DIH evropian i certifikuar dhe plotësisht funksional në vend, vë në dispozicion burimet e tij në këtë thirrje për vërtetimin e shkallës së zbatimit të teknologjive digjitale që mund të rrisin shkallën e pjekurisë digjitale tek aplikantët dhe natyrisht të mundësojnë më shumë konkurrencë në treg.

Aktivitetet e INOFEIT DIH janë mbështetur prej kohësh nga partnerët FIZHT dhe IME dhe kjo thirrje është vazhdimësi e nismës së përbashkët për të rritur përdorimin e teknologjive digjitale nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në vendin tonë dhe për të forcuar bashkëpunimin mes bizneseve dhe akademisë. INOFEIT DIH, me statusin e njohur europian dhe rrjetin e kontakteve, mund të ndihmojë në rritjen dhe bashkëpunimin e mëtejshëm të aplikantëve me partnerë të ndryshëm rajonalë dhe ndërkombëtarë”, tha Prof. Vladimir Atanasovski, udhëheqës në INOFEIT DIH.

Kriteret që duhet të plotësojë aplikanti janë: të jetë shoqëri tregtare e themeluar në përputhje me Ligjin për shoqëritë tregtare dhe e regjistruar në Regjistrin qendror të Republikës së Maqedonisë së Veriut; të ardhurat vjetore të garuesit nuk duhet të kalojnë 10.000.000 euro në kundërvlerë me denarë, sipas raporteve financiare për dy vitet paraprake fiskale; numri mesatar i të punësuarve nuk duhet të kalojë 250 punonjës etj. Me këtë sfidë inkurajohen veçanërisht të aplikojnë ndërmarrjet në pronësi ose të menaxhuara nga gra apo të rinj deri në 29 vjeç.

Për sa i përket aktiviteteve të propozim projektit, ato duhet të përfshijnë: aktivitete për hulumtim dhe zhvillim; prezantim dhe testim të një produkti, shërbimi ose procesi të ri si rezultat i transformimit digjital tek garuesi etj. Të gjitha propozim projekt a pranuara vlerësohet nga Komisioni i vlerësimit dhe përzgjedhjes i cili përbëhet nga pesë anëtarë: tre anëtarë – ekspertë të jashtëm nga fusha e sfidës; një anëtar – përfaqësues i organizatës partnere dhe një anëtar – përfaqësues i Fondit. Kriteret mbi të cilat do të bazohet vlerësimi janë: shkalla e inovacionit, kapaciteti i ekipit të projektit, cilësia e projektit, potenciali i tregut dhe ndikimi.

Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë jo më vonë se data 20 mars 2023, deri në orën 14:00. Më shumë informacion rreth thirrjes publike mund të merrni në linkun e mëposhtëm: https://fitr.mk/digitalna-transformacija.