Burrit malësor i dridhen buzët teksa flet, vajza e tij e vetme, me të cilin kish biseduar në telefon mëngjesin e djeshëm, nuk jeton më.
Muharrem Hasanaj, babai i nëntetares së vrarë në krye të detyrës si pasojë e shpërthimit të një mine në Letoni, ku ndodhej me mision mezi i nxjerr fjalët në një rrëfim për News 24 dhe BalkanWeb. Ai thotë se nuk do që fatin e së bijës ta kenë të tjerë.
“Fatin e vajzës sime mos ta ketë kush. Specialiteti i saj ishte të pastronte vendin nga minat, por i ndodhi ajo që nuk duhet të ndodhte”,- rrëfen ai.
“Takimin e fundit me të e kam pasur në 22 dhjetor kur e përcolla në Rinas për në Letoni. Pas asaj dite flisnim vetëm në telefon. Na merrte çdo dite dhe na pyeste a jemi mirë. Edhe dje në mëngjes folëm. Me tha se ishte mirë dhe se do të shkonte në punë. Pastaj mora lajmin e asaj që ndodhi”,- thotë ndër të tjera babai.
I ati shprehet se nuk ka qënë dakord me zgjedhjen e së bijës për të hyrë në ushtri, por se e ka pasur të pamundur t’ja priste ëndrrën në mes.
“Vajza punonte prej më shumë se 10 vjetësh në ushtri. Ishte dëshira e saj. I pëlqente uniforma. Ma ka shprehur këtë dëshirë para 10 vjetësh kur dorëzoi dokumentet për tu pranuar në ushtri. Unë si plak dhe malësor nuk isha dakord me këtë zgjedhje por përsëri e pranova, sepse të rinjve nuk ua pengon dot dëshirat”,- rrëfen më tej ai.